Zhvillimet në Bosnjë e Hercegovinë, Rute: Nuk do të lejojmë, që të rrezikohet paqja
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute...

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, gjatë vizitës në Bosnjë e Hercegovinë takoi anëtarët e Presidencës trepalëshe, Zhelka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zhelko Komshiq. Dha mesazhin se aleanca mbështet sovranitetin dhe integritetin e Bosnjë e Hercegovinës, duke theksuar se nuk do të lejojë që paqja “e fituar me mund” në këtë shtet të vihet në rrezik.
“Kam dëgjuar shqetësime për situatën e sigurisë. Le të jemi të qartë, kjo situatë nuk është si në vitin 1992 dhe ne nuk do të lejojmë që të krijohet një vakum i sigurisë. Komuniteti ndërkombëtar është këtu dhe është i angazhuar për të vazhduar mbështetjen tonë të fuqishme, përfshirë përmes EUROF-it.”, tha Rute, duke theksuar se çdo veprim që e minon Dejtonin, rendin kushtetues dhe institucionet shtetërore, por edhe retorika nxitëse, “janë të papranueshme” për Aleancën.
