Maqedoni
Kryesimi polak me këshillin e BE-së, Brimora, shpalos prioritetet para deputetëve
10.03.2025 15:23
Ambasadori i Republikës së Polonisë në Shkup ka shpalosur prioritetet e shtetit polak gjatë kryesimit me Këshillin e Unionit Evropian....

Ambasadori i Republikës së Polonisë në Shkup, Mariush Brimora, ka shpalosur prioritetet e shtetit polak gjatë kryesimit me Këshillin e Unionit Evropian. Deputetët dhe opinioni kishin mundësi që nga dora e parë të informohen me punët të cilat Varshava zyrtare është duke i ndërmarrë në drejtimin e krijimit të një stabiliteti të përgjithshëm në Bashkimin Evropian, por edhe mundësisë së zgjerimit të saj. Po ashtu, Brimora theksoi se agresioni rus mbi Ukrainën, sa ka rrezikuar vet Ukrainën, po aq paraqet rrezik permanent edhe për Poloninë dhe gjithë Evropën, dhe në këtë drejtim Polonia kërkon mbështetjen e të gjitha shteteve.
“Ne besojmë se politika e zgjerimit e Bashkimit Evropian mund të ndikojë në arritjen e qëllimeve tona për siguri dhe prosperitet, prandaj edhe çështja e zgjerimit mbetet prioritet. Marrëdhëniet mes BE-së dhe RMV-së janë të qëndrueshme. Ministri Murtezani dy herë ishte në Varshavë. Ne do të vazhdojmë ta përkrahim RMV-në dhe vendet tjera drejt integrimit të tyre në BE.”, - deklaroi ambasadori i Republikës së Polonisë në Shkup, Mariush Brimora.
Sipas zëvendësministres për Çështje Evropiane, Viktoria Trajkov, RMV-ja ka ndërmarrë një sërë masash, të cilët po përshpejtojnë rrugëtimin e vendit tonë në BE.
“Dua të theksoj se gjatë kësaj periudhe kemi ndërmarrë hapa konkrete për përforcimin e pozicioneve tona në planin ndërkombëtar, me të vetmin qëllim, arritjen e qëllimit tonë kryesor, përshpejtimin e rrugëtimit tonë eurointegrues. Në këtë drejtim kemi marrë mbështetje nga ShBA-ja, por edhe nga Polonia, të cilët zëshëm kanë theksuar se politika e zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor është në fokusin e tyre.”, - theksoi zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Viktoria Trajkov.
Por, lideri i opozitës maqedonase, Venko Filipçe, dhe njëherit edhe kryesues me Këshillin Nacional për Eurointegrime, theksoi se agjenda reformuese e vendit është bllokuar tërësisht.
“Agjenda reformuese të cilën e përmendi zëvendësministrja ka ngecur në vend dhe mund t’ju them se deri në muajin qershor të vitit 2025 duhet të sillen diku rreth 20 ligje, ndërsa asnjë prej tyre nuk është në procedurë parlamentare. Partneriteti me BE-në duhet ta tregojmë me vepra, sidomos mos votimi i dy rezolutave në Këshillin e Sigurimit.”, - u shpreh kryesuesi me Këshillin Nacional për Eurointegrime, Venko Filipçe.
“Si vend kandidat dhe pjesë e Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojmë me reformat tona ushtarake dhe të investojmë në mbrojtjen tonë. Me urgjencë po hymë në një periudhë të industrisë intensive të armatimit dhe mbrojtjes. Edhe shteti ynë duhet të ketë pozicione të qarta dhe vetëm ashtu nuk do të lejojmë depërtimin e ndikimeve të jashtme.”, - theksoi deputeti, Halil Snopçe.
Kryesimi polak me Këshillin e Bashkimit Evropian ka filluar nga 1 janari dhe do të zgjasë deri më 30 qershor të këtij viti.
FITIM KRYEZIU
