Maqedoni
Anëtarët e Këshillit Programor në RTVM, Kuvendi miratoi vendim për konkurs publik
10.03.2025 15:37
Me 66 vota “për”, Kuvendi miratoi vendimin për shpalljen e konkursit publik për emërimin e anëtarëve të rinj të Këshillit Programor në RTVM...

Me 66 vota “për”, Kuvendi miratoi vendimin për shpalljen e konkursit publik për emërimin e anëtarëve të rinj të Këshillit Programor në RTVM, me ç’rast në seancë nuk u paraqit asnjë deputet për të marrë fjalë në debat të përgjithshëm para se propozim-vendimi të vihet në votim. Kandidatët për emërimin e anëtarëve të Këshillit Programor në RTVM aplikojnë në afat prej 15 ditëve nga dita e shpalljes së këtij vendimi në Gazetën Zyrtare të Maqedonisë së Veriut. Kandidatët e paraqitur duhet t’i plotësojnë kushtet e konkursit publik të përfshira në vendimin e Kuvendit.
“Gjithsej votuan 66 deputetë prej të cilëve 66 votuan “për”, nuk ka “kundër”, nuk ka “të përmbajtur”. Konstatoj se Kuvendi miratoi vendimin për shpalljen e konkursit publik për emërimin e anëtarëve të Këshillit Programor të Radio Televizionit të Maqedonisë.”, - deklaroi nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshovski.
Vendimi hyn në fuqi nga dita e shpalljes në Gazetën Zyrtare të shtetit, ndërkaq do të publikohet edhe në gazetat ditore “Slloboden Pecat”, “Nova Makedonija” dhe “Koha”. Këshilli Programor, si organ udhëheqës në RTVM, duhet të mbrojë interesat e publikut në drejtim të përmbajtjes programore që transmetohet në RTVM dhe të kujdeset për realizimin e interesave, objektivave dhe kompetencat e këtij institucioni. Sipas statutit të servisit publik, Këshilli Programor përbëhet nga 13 anëtarë të emëruar në Kuvend me afat pesëvjeçar, me të drejtë të edhe një mandati vijues.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
