Këshilli Gjyqësor teston mbi 70 kandidatë nga akademia, Kambovski: Kryetari i gjykatës do të zgjidhet shpejt
Këshilli Gjyqësor vonon zgjedhjen e ushtruesit të detyrës...

"Komisioni nuk arriti ta përfundojë këtë proces, pasi kishim mbi 70 kandidatë nga Akademia që duhej të testoheshin. Besoj se kjo ishte arsyeja kryesore për vonesën. Megjithatë, shumë shpejt do të zgjidhet ushtruesi i detyrës dhe ky vendim është përfshirë në rendin e ditës të seancës së Këshillit Gjyqësor, pasi të mërkurën përfundon mandati i kryetarit aktual të Gjykatës së Lartë.", - deklaroi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.
Interpelanca për anëtarët e Këshillit Gjyqësor, Kambovski: Seancat, një rastësi
Ndërkohë, Këshilli Gjyqësor do të mbajë një seancë nesër, e cila përkon me seancën parlamentare për interpelancën e pesë anëtarëve të tij.
Kryetari Kambovski mohoi çdo lidhje mes këtyre dy seancave, duke theksuar se përputhja e datave është rastësi dhe nuk ka ndonjë prapavijë. U mbetet atyre vetë të vendosin nëse do të jenë të pranishëm në seancën parlamentare apo jo, deklaroi ai.
“Absolutisht jo. Nuk ka pasur asnjë qëllim. Kur u caktua seanca jonë, ne as që e dinim se seanca parlamentare do të mbahej në të njëjtën datë. Seanca jonë nuk është aspak pengesë për mbajtjen e seancës parlamentare dhe anasjelltas. Nëse ndonjë nga kolegët shpreh dëshirë të shkojë atje dhe të japë një deklaratë, ne do ta ndërpresim seancën dhe do të presim të kthehet. Pra, nuk do të ketë asnjë pengesë as në Kuvend dhe as në Këshillin Gjyqësor.”, - theksoi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.
Kambovski tha se dorëheqja është një vendim personal dhe se ai nuk ka pritshmëri për këtë. Ai shtoi se nuk di si do të vendosin kolegët. Interpelanca ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor u iniciua nga 67 deputetë të shumicës qeveritare nga radhët e VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe Lëvizjes “E di”, pas raportit vjetor negativ për punën e Këshillit.
Pesë anëtarët, Vesna Dameva, Pavlina Cërvenkovska, Selim Ademi, Tanja Çaçarova Ilievska dhe Miljazim Mustafa, kanë dorëzuar tashmë përgjigjet e tyre në Kuvend, duke e cilësuar këtë procedurë si një sulm të drejtpërdrejtë politik ndaj pavarësisë së gjyqësorit. (Armend Murseli, TVM2)
