Tetovë, kaos në trafik, kërkohet zgjidhje afatgjate

10.03.2025 16:14

Edhe përkundër aksioneve të shumta nga SPB-Tetovë...

Edhe përkundër aksioneve të shumta nga SPB-Tetovë, komuna e Tetovës për ta çliruar trafikun në rrugët e Tetovës, gjendja vazhdon të jetë e njëjtë. Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se kjo është një mundësi e qytetarëve, të cilët parkojnë veturat aty ku nuk e kanë vendin dhe bllokojnë komunikacionin në Tetovë.

“Ka përmirësime, por nuk është ajo që duam të gjithë. Ne do të dalim përsëri bashkë të shohim veçanërisht kryqëzimet dhe bulevardin “Liria”, ku paraqitet problem më i theksuar dhe bashkërisht ne me juve, si dhe mediumet, policia, parkingu, të bëjnë presionin dhe të vetëdijësojmë qytetarët që të jenë rrugët e lira dhe trotuaret e lira.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Ndërkohë për mungesë të parkingjeve dhe premtimit për ndërtimin e parkingjeve në kate, Kasami është shprehur se në fund të prillit do të kemi gati studimin e mobilitetit dhe do të shihet se sa është mungesa e parkingjeve në Tetovë dhe ku.

“Duke nisur nga studimi i mobilitetit që tani veç po punohet dhe problemin ta zgjedhim në mënyrë sistemore e jo në mënyrë të një kampanje parazgjedhore, ky është një problem i kahmotshëm dhe kërkon zgjedhje sistemore. Nga plani i mobilitetit do të dalë nevoja për se sa vendparkime i duhen Tetovës dhe ku i duhen ato parkingje, dhe pastaj do të gjejmë edhe zgjedhje adekuate. Unë besoj se planin e mobilitetit deri ka fundi i prillit ta kemi gati.”, -  u shpreh kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Përndryshe në Tetovë ka shumë pak parkingje në krahasim me veturat që janë të regjistruara në Tetovë. (Visar Sadiki, TVM2)