Zelenski niset drejt Arabisë Saudite, nesër, bisedime mes ShBA-së dhe Ukrainës

10.03.2025 16:34

Dialogu Uashington - Kiev vazhdon...

Dialogu Uashington - Kiev vazhdon. Sekretari amerikan i Shtetit, Rubio, ka mbërritur në Arabinë Saudite për bisedime me zyrtarët ukrainas, disa ditë pas vendimit të presidentit Tramp për të ndërprerë ndihmën ushtarake për Ukrainën.

Më parë në shkurt, Rubio u takua me homologun e tij rus, Lavrov, në atë që ishte takimi i parë i zyrtarëve në atë nivel që nga pushtimi rus i Ukrainës tre vjet më parë. Shefi i Shtëpisë së Bardhë beson se marrëveshja për mineralet do të nënshkruhet dhe theksoi se lufta duhet të përfundojë sa më parë, për shkak të pasojave ekonomike dhe humanitare.

“Shumë njerëz vdiqën këtë javë, siç e dini, në Ukrainë, jo vetëm ukrainas, por edhe rusë. Unë mendoj se të gjithë duan të shohin se si do të përfundojë. Ne do të bëjmë përparim, besoj, këtë javë. Ne duam të bëjmë gjithçka që mundemi, që Ukraina të jetë serioze për t'i dhënë fund kësaj.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.

Zelenski do të jetë gjithashtu në Arabinë Saudite për t'u takuar me princin e kurorës saudite, Mohamed bin Salman, por nuk do të marrë pjesë në bisedimet me zyrtarët amerikanë.

Pala ukrainase pritet të propozojë një plan paqeje, duke përfshirë ndalimin e sulmeve me dronë dhe raketa, si dhe një pezullim të aktivitetit ushtarak në Detin e Zi.

Pas një konfrontimi verbal që simbolizonte një ndryshim diplomatik në Uashington midis Trampit dhe Zelenskit në Shtëpinë e Bardhë në fund të shkurtit, presidenti ukrainas bëri shaka që nuk kishte veshur një kostum në një ceremoni në Kiev.

"Një ditë në të ardhmen, gjuha e artit do të përdoret për të na treguar për kohët e reja në Ukrainë, për një Ukrainë paqësore, të fortë, të sigurt dhe të pavarur. Sepse veprat e së mirës do të ripërtërihen, veprat e së keqes do të zhduken. Edhe njëherë, i përgëzoj fituesit e këtij viti dhe falënderoj edhe njëherë të gjithë artistët ukrainas, më vjen keq që nuk jam me kostum.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Betejat vazhdojnë në front me mbi 130 dronë të rrëzuar. Forcat ruse bënë përparim të mëtejshëm në rajonin e Kurskut, pasi pushtuan tre vendbanime të tjera dje dhe forcat speciale përparuan 15 kilometra përmes një tubacioni gazi pranë qytetit Suxha. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)