Maqedoni
Fakulteti i Shkencave të Zbatuara organizoi Konferencën e parë shkencore ndërkombëtare
08.05.2015 18:05
Në Universitetin Shkencor të Tetovës sot i filloi punimet Konferenca e parë shkencore ndërkombëtare e organizuar nga Fakulteti i Shkencave të Zbatuara...

Konferenca ka për qëllim provimin dhe shkëmbimin e ideve akademike dhe kërkimore, në mes arkitektëve, dizajnerëve, prodhuesve, inxhinierëve, teknologëve, hulumtuesve të shkencave të zbatuara, studentëve dhe mësimdhënësve.
Përgjegjësi i Zyrës për Inovacione dhe Shkencë e USHT-së, Prof. dr. Bashkim Ziberi vlerësoi se shoqëria jonë është në kërkim të dijes dhe njohurive të reja në fusha të ndryshme teknologjike.
“Nuk mund të fsheh kënaqësinë që ndjej që në USHT arritëm të organizojmë edhe konferencën e parë në fushën e shkencave aplikative, e cila ngërthen në vete disiplina shkencore që ndikojnë drejtpërsëdrejti në mënyrën tonë të të jetuarit dhe perceptimit të hapësirës, në të njëjtën kohë duke u kujdesur edhe për ambientin përreth”, tha Prof. dr. Bashkim Ziberi.
Në hapjen e Konferencës mori pjesë edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi. Sipas tij, dikasteri që ai drejton një pjesë të buxhetit ia ka dedikuar shkencës.
“Si ministër i Arsimit dhe Shkencës, vazhdimisht theksoj se i mbështesim konferencat e tilla shkencore, sepse konkluzionet që dalin nga ato kanë ndikim ndaj zhvillimit ekonomik, kulturor dhe social të vendit. Gjithashtu edhe një pjesë e buxhetit të ministrisë i është dedikuar shkencës, për përmirësimin e kushteve të punës për shkencëtarët, përmes pajisjes së laboratorëve, ndarjen e mbështetjes financiare kuadrit shkencor hulumtues dhe arsimor nga institucionet e larta arsimore në Maqedoni”, tha Abdilaqim Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, Doc. dr. Nderim Zeqiri theksoi se temat e paraqitura në këtë konferencë do të trajtojnë çështje që ndërlidhen me kërkimet shkencore dhe janë me karakter shumëdimensional dhe shumënivelësh.
“Konferenca e parë ndërkombëtare e shkencave të zbatuara është një sinonim për krijimin e modelit, krijimin e një vizioni më kreativ dhe interaktiv, jo vetëm për të tashmen por edhe si një platformë orientuese për perspektiven e ardhshme shkencore, qasja ndaj problematikave në esencë kërkon një këndvështrim më të kujdesshëm dhe më analitik në suaza të një përmase të caktuar”, deklaroi Doc. dr. Nderim Zeqiri.
Koordinatori i kësaj konference, Doc. dr. Enis Jakupi tha se në këtë konferencë do të prezantohen 68 punime.
“Në këtë konferencë shkencore të shkencave të zbatuara do të prezantohen mbi 68 punime, prej tyre 21 në lëmin e arkitekturës, 27 në atë në inxhinierisë së ndërtimit dhe 20 punime në lëmin e mekatronikës. Në këtë konferencë marrin pjesë mbi 180 pjesëmarrës me punimet e tyre, edhe pse është konferenca e parë e Fakultetit të Shkencave të Zbatuara të USHT-së interesimi është i madh. Punimet e kësaj konference do të botohen në zhurnalin ndërkombëtar, tash më të themeluar të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, në gjuhen angleze, JAS-SUT– Journal of Applied Sciences”, theksoi Doc. dr. Enis Ejupi.
Në këtë aktivitet, po ashtu u tha se konferenca dhe programet studimore të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara të USHT-së paraqesin një simbiozë, që në esencën e vet ka natyrën dhe profilizimin inxhinierik, si: Arkitektura, Ndërtimtaria, Mekatronika, Inxhinieria ekonomike dhe dy drejtimet e reja, Gjeodezia me Gjeoinformatikë dhe Komunikacioni
