Rajon
Rute në Kosovë, pritet nga Kurti dhe Osmani
11.03.2025 13:48
Rute ka arritur në Kosovë me mesazhin se Kosova është një shtet shumë i rëndësishëm për NATO-n...

Me mesazhin se Kosova është një shtet shumë i rëndësishëm për NATO-n, ka arritur në Kosovë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, mesazh të cilin e përcjell në takimet me presidenten Osmani dhe kryeministrin, Kurti. Ai në Prishtinë arriti nga Sarajeva prej ku ka thënë se janë në komunikime të vazhdueshme me krerët e shtetit në Kosovë dhe ata në Bosnjë e Hercegovinë, por edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, që tensionet në rajon të ulen.
“Kosova është vend shumë i rëndësishëm, ku NATO-ja ka prezencë të fortë përmes KFOR-it. Është e rëndësishme të angazhohemi të gjithë që ky shtet të jetë në situatën më të mirë të mundshme. Atje ka pasur zgjedhje dhe do të shohim si do të formohet Qeveria e re. Gjithë kjo është pjesë e një procesi normal demokratik, gjë që është e mirë. Por, në të gjithë rajonin situata po ndryshon. Jam në komunikime intensive, jo vetëm me krerët e Kosovës dhe ata të Bosnjë e Hercegovinës, por javën e kaluar kam biseduar edhe me Vuçiqin. Pra, komunikimet janë intensive që tensionet në rajon të ulen.”, ka thënë Rute.
Stabiliteti në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi është në interesin e të gjithëve në aleancën ushtarake perëndimore, ka thënë Rute, i cili nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në NATO.
GYLTENE SINANI
