Botë

Bisedime ShBA - Ukrainë në Xhedah, palët - optimiste për arritjen e kompromisit

11.03.2025 14:26

Ekipet nga Uashingtoni dhe Kievi po zhvillojnë bisedime në Xhedah për t'i dhënë fund luftës trevjeçare të nisur nga Rusia...

Ekipet nga Uashingtoni dhe Kievi po zhvillojnë bisedime në Xhedah të Arabisë Saudite për t'i dhënë fund luftës trevjeçare të nisur nga Rusia. Pjesëmarrësit në bisedimet ShBA - Ukrainë janë optimistë për arritjen e një marrëveshjeje. Shtetet e Bashkuara janë ende duke punuar për një marrëveshje për mineralet pas nënshkrimit të dështuar në Shtëpinë e Bardhë, tha sekretari amerikan i shtetit. Rubio sheh premtim në propozimin e Ukrainës për një armëpushim të pjesshëm. Moska e hodhi poshtë më parë idenë, duke thënë se ishte një përpjekje për të blerë kohë për armatim të ri.
 
“Jam i emocionuar për rolin e Arabisë Saudite. Ata luajnë një rol të shkëlqyer si ndërmjetës. Ata kanë marrëdhënie të shkëlqyera me vendet dhe mendoj se Arabia Saudite do të bëhet një aleat shumë më i madh për ne me kalimin e kohës.”, - deklaroi përfaqësuesi i presidentit amerikan, Adam Boller.  
 
Në Parlamentin Evropian ka një debat për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes të bllokut. Vendet e BE-së i kanë dhënë tashmë dritën jeshile një plani për të mobilizuar deri në 800 miliardë euro gjatë katër viteve për të forcuar mbrojtjen e kontinentit dhe për të ndihmuar Ukrainën. Presidenti francez, Makron, pret në Paris shefat e shtabit të përgjithshëm të 30 vendeve të BE-së dhe NATO-s, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Turqinë.
 
“Koha e iluzioneve ka mbaruar. Evropa është thirrur të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj, jo në një të ardhme të largët, por sot. Ne kemi nevojë për mbrojtje evropiane tani. Ne kemi nevojë për të kryesisht për shkak të situatës në Ukrainë. Ekziston një nevojë urgjente për të mbushur boshllëqet në rezervat ushtarake të Ukrainës dhe për të ofruar garanci solide sigurie. Por, ky moment i llogaritjes nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën, por me të gjithë Evropën dhe sigurinë e të gjithë kontinentit tonë.”, - theksoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.  
 
E përderisa flitet për ndalimin e luftës, betejat me dron nuk po ndalen. Moska mbrëmë ishte objektivi i sulmit më masiv ukrainas. Forcat ruse kanë zmbrapsur mbi 300 dronë, ka pasur viktima dhe të plagosur.
 
“Komiteti hetimor i Rusisë ka hapur një çështje penale me akuzën e terrorizmit në lidhje me sulmet masive në rajonin e Moskës nga dronët ukrainas, të cilat rezultuan me viktima dhe të plagosur., - u shpreh zëdhënësja e Komitetit hetues rus, Svetlana Petrenko.  
 
Ndërkohë luftime të ashpra po vijojnë në front. Odesa sulmoi përsëri. Ukraina po rrit numrin e forcave në rajonin Kursk të Rusisë, konfirmoi komandanti suprem i përgjithshëm ukrainas, Sirsko.
 
ABIBE QAILI