Maqedoni
Interpelancë për Këshillin Gjyqësor, deputetët, mosbesim ndaj 5 anëtarëve
11.03.2025 16:02
Kuvendi në mungesë të opozitës votoi mosbesim ndaj punës së anëtarëve të këshillit gjyqësorë....

Pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, Pavlina Cërvenkovska, Selim Ademi, Tanja Çaçarova Ilievska dhe Milazim Mustafa, u gjendën para “plumbave politik” të deputetëve, duke i baltosur ata për përfshirje në korrupsion nën dirigjimin e ish-pushtetit. Kuvendi, në mungesë të opozitës, votoi mosbesim ndaj punës së tyre. Shumica, iniciatore e interpelancës, fajësoi Këshillin Gjyqësor se nuk i ka shkarkuar gjykatësit për ngecjen e lëndëve, por ka dënuar vetëm katër prej tyre me 20% heqje nga paga. Për pasojë, rejtingu i gjyqësorit ka rënë në 2%.
“Këshilli Gjyqësor duke mos vepruar, ka ndihmuar strukturat kriminale. Ish-kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Cërvenkovska, pati thënë se ajo nuk ka mundur të ballafaqohet me biznes elitën e gjyqësorit. A ka dëshmi më të madhe se kjo për situatën në gjyqësor?!”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Gjorgjija Sajkovski.
“Pushtetet paraprake duke i injoruar indikacionet e tilla, jo vetëm që nuk e kanë përmirësuar gjendjen, por edhe e kanë përkeqësuar më tej me influencën e tyre në çdo segment të pushtetit gjyqësor, me presionet ndaj gjykatësve për mosprocesuimin e lëndëve, që kanë të bëjnë me aferat korruptive.”, - u shpreh deputeti i VLEN-it, Riad Shaqiri.
Anëtarja, Vesna Dameva, e vetmja e pranishme në sallë, mbrojti veten duke thënë se nuk ka rënë preh e pazareve politike. Pasi e cilësoi interpelancën si goditje ndaj gjyqësorit, ajo lëshoi sallën.
“Me interpelancën s’do të zgjidhet problemi. Në këtë mënyrë, problemi vetëm se thellohet dhe po bëhet presedan i rrezikshëm, i cili do të ketë pasoja afatgjata në gjyqësor dhe në shtet në këtë periudhë të ndjeshme.”, - deklaroi anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva.
Deputetët e Frontit dhe LSDM-së, pasi përmbyllën prononcimet e tyre për interpelancën e Damevës, lëshuan sallën. Për socialdemokratët, interpelanca është zgjidhje parciale. Ndërkaq për deputetët Frontit Evropian, pushteti po tenton të përvetësojë gjyqësorin. Ata paralajmëruan interpelancë të gjykatësve kushtetues.
“Me këtë interpelancë themi se një pjesë e Këshillit Gjyqësor janë fajtorë, ndërkaq tetë të tjerët të cilët janë gjykatës, do të mbeten aty dhe do të marrin vendime edhe me shtatë vota. Por, prej tyre rejtingu në gjyqësor është 2%.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.
“Kemi interpelancë kolektive të të gjithëve, i heqim këta e t’i sjellim ata të tanët këtu, të cilët janë të pavarur politikisht edhe ta sjellim për shembull një kuadër partiak, siç është gruaja e një kryetari komune.”, - u shpreh deputeti i Frontit Evropian, Ilir Hasani.
Kuvendi, konkluzionet për mosbesim ia dorëzon presidentes së vendit dhe Këshillit Gjyqësor. Me gjithë mosbesimin për ushtrimin legjitim të detyrës, vetë anëtarët e Këshillit Gjyqësor vendosin për largimin e tyre nga detyra.
MERAL ISMAILI
