Maqedoni

Ligji për Branitellat sërish temë debati, Komisioni për Politikë Sociale mbetet i bllokuar

12.03.2025 13:29

Komisioni për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini mbetet i bllokuar...

Kërkesa e LSDM-së që të vendoset në rend dite Ligji për Branitellat, ka bërë që Komisioni për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini të mbetet i bllokuar. Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu Fetai, e emëruar kryesuese nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, nuk arriti të miratojë rendin e ditës, pas kërkesës së deputetet së LSDM-së Jovana Trençevska, për të përfshirë në rend dite Ligjin për Branitellat.
 
“Si pikë e parë e rendit të ditës të vendoset plotësimi i ligjit për të drejtat e posaçme për pjesëtarët e sigurisë të Maqedonisë së Veriut dhe të anëtarëve të familjeve të tyre me procedurë të shkurtë.”, tha Jovana Trençevska nga LSDM.
 
Fetai iu përgjigj Trençevskës se kryetari Gashi e kishte caktuar të kryesojë Komisionin vetëm për Ligjin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, ndërsa bëri me dije se koalicioni të cilit i takon ajo nuk do të lejojë të kalojë ky ligj.
 
"Ka vetëm një pikë në rend dite dhe ju lutem të votojmë. VLEN nuk do të lejojë që Ligji për Branitellat të vihet në rend dite pa përfshirjen e pjesëtarëve të UÇK-së, mendoj se çdo debat pas kësaj nuk është i nevojshëm dhe unë jam e caktuar që të udhëheq këtë komision vetëm për atë pikë, duke shpresuar që Ilire Dauti të kthehet në këtë komision si kryesuese.”, tha Imerlije Saliu, deputete e VLEN.
 
Pas kësaj, Fetai e mbylli seancën pa një afat të qartë për rifillimin e saj. Përndryshe, ky komision mbetet i bllokuar që prej dorëheqjes së kryesuesses së këtij komisoni Ilire Dauti, e cila dha dorëheqje pasi iu votua mosbesimi.  Për të zhbllokuar situatën, Gashi tentoi të caktojë në krye të Komisionit deputetin e Frontit Evropian, Bejxhan Iljas, por ai refuzoi, pasi Fronti Evropian mbetet në qëndrimin se në krye të Komisionit duhet të kthehet deputetja Ilire Dauti.
 
ERSAN PAJAZITI