Maqedoni
Misajllovski: Mbështesim paqen dhe rindërtimin e Ukrainës
12.03.2025 14:14
Ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajllovski, është shprehur se RMV nuk do të dërgojmë ushtarë në Ukrainë...

Nuk do të dërgojmë ushtarë në Ukrainë, pasi deri tani askush nuk ka kërkuar një gjë të tillë nga ne si shtet, kështu u shpreh ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajllovski, pas vizitës së tij tek pjesëtarët e Batalionit të Parë Këmbësor të Ushtrisë në kazermën "Çede Filipovski – Dame" në Kërçovë.
“A do të ketë ushtarë nga Maqedonia në Ukrainë, nuk do të ketë. Si vend anëtar i NATO-s, jemi i katërti me radhë për ndihmën e dhënë në pajisje të ndryshme për Ukrainën. Ajo që ka bërë kjo Qeveri gjatë periudhës së kaluar është se ka dhënë edhe një paketë tjetër ndihme, por tani, në këtë periudhë, narrativi në gjeopolitikën botërore ka ndryshuar dhe ajo që mund të dëgjohej ishte se në tryezë është një propozim për paqe, dhe ne jemi një shtet që synon paqen.”, tha ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajllovski.
Misajllovski theksoi se paqja është e domosdoshme, pasi ajo përfshin edhe sigurinë kolektive.
“Së pari, nevojitet paqja, dhe më pas do të ketë nevojë për ndihmë shtesë për Ukrainën, veçanërisht për rindërtimin e vendit në infrastrukturë dhe kapacitete, por fillimisht duhet të arrihet një zgjidhje paqësore, për të cilën ne qëndrojmë plotësisht pro.”, tha Misajllovski.
Gjatë vizitës në kazermën "Çede Filipovski – Dame" në Kërçovë, ministri i Mbrojtjes shpalli një thirrje për punësimin e 300 ushtarëve profesionalë me një kontratë 4-vjeçare dhe mundësi për zgjatje. Kandidatët do të duhet të kalojnë testet për gatishmërinë fizike dhe duhet të jenë jo më të vjetër se 25 vjeç. Po ashtu, u shpall një njoftim për pranimin e 10 nënoficerëve nga shërbimi teknik i aviacionit.
ARMEND MURSELI
