Rajon

Kosova marrëveshje bashkëpunimi ushtarak me ShBA-të, Maqedonci: Ushtria amerikane nuk largohet nga Kosova

12.03.2025 14:33

Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për marrëveshjen kornizë me Shtetet e Bashkuara në fushën e Mbrojtjes...

Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për marrëveshjen kornizë me Shtetet e Bashkuara në fushën e Mbrojtjes. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci bëri të ditur se kjo marrëveshje ka për qëllim që të dyja palët të angazhohen në avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si dhe zotimin amerikan për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
 
“SHBA-të do të mbështesin ministrinë e mbrojtjes për një planifikim profesional të mirëfilltë të mbrojtjes si dhe të qeverisjes së mbrojtjes me qëllim rritjen e mbikëqyrjes civile. Do të jetë Menaxhimi i resurseve humane dhe menaxhimi të mbrojtjes, gjithashtu do të jenë fusha ku do të bashkëpunojmë bashkë me ShBA-të . Ndërtimi i kapaciteteve strategjike ushtarake. ShBA-të do të mbështesin Republikën  e Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve strategjike ushtarake duke përfshirë edhe mbrojtjes ajrore dhe fushat tjera të cilat jemi duke punuar në fazën e tretë të tranzicionit. Gjithashtu kjo marrëveshje parasheh edhe Bashkëpunimi me qëllim angazhimin regjional dhe ndërkombëtar. Më saktësisht ne së bashku me ShBA-të do të ndërtojmë plane dhe do të kemi mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në NATO.”, tha Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.
 
Kjo marrëveshje është e dyta si e tillë, pas asaj që Kosova ka nënshkruar me Turqinë vitin e kaluar tha Maqedonci. Ai njëherit theksoi se ushtria amerikane do të jetë e angazhuar në Kosovë si në kuadër të KFOR-it ashtu edhe nëpërmjet bashkëpunimit me FSK-në. 
 
“Ne po vazhdojmë të kemi konfirmim se ushtria amerikane do të jetë prezent në kuadër të KFOR-it. Përveç prezencës ushtarake amerikane të KFOR-it ne jemi të interesuar dhe vazhdojmë të diskutojmë me ShBA-të pikërisht për prezencë ushtarake amerikane edhe jashtë mandatit të KFOR-it në aspektin bilateral, duke qenë pjesë e aktiviteteve të përbashkëta me FSK-në në Republikën e Kosovës.”, tha Maqedonci.
 
Ministri kosovar i mbrojtjes njëherit bëri të ditur se Kosova do të jetë vend pritës i ushtrimit “Defender Europe” ku do të marrin pjesë edhe ushtarët e FSK-së, me çrast në Kosovë do të qëndrojë edhe një komandë e lartë e SHBA-ve që do të drejtojë të gjitha trajnimet në regjionin e Ballkanit perëndimor. 
 
GYLTENE SINANI