Maqedoni
KSHPK hap rastin për tenderë në Ministrinë e Transformimit Dixhital
12.03.2025 14:41
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do të përcaktojë nëse ka konflikt interesi në rastin e tenderëve pranë Ministrisë së Transformimit Dixhital...

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) do të përcaktojë nëse ka konflikt interesi në rastin e tenderëve pranë Ministrisë së Transformimit Dixhital.
“Gjatë ditës së djeshme, pas raportimeve të mediave, Komisioni Kundër Korrupsionit ka hapur rast me iniciativë dhe do të vazhdojë të konstatojë nëse ka konflikt interesi”, kanë thënë shkurt nga KSHPK për MIA-n.
LSDM-ja opozitare akuzoi Ministrinë për konflikt interesi, nepotizëm dhe dyshime për korrupsion në lidhje me dy prokurimet publike në vlerë prej 50 mijë euro që i ishin dhënë një kompanie në pronësi të bashkëshortit të sekretarit shtetëror në atë ministri, ndërsa sot po nga kjo parti e përshëndetën vendimin e Komisionit për Parandalim të Korrupsionit.
“Presim që ky skandal, kjo aferë financiare në të cilën gruaja është Sekretare e Shtetit dhe burri merr tendera, të zbardhet plotësisht, shpejt dhe të vijojë përgjegjësia. Faktet janë të qarta: kompania e bashkëshortit të Klinçarovës ka fituar dy tenderë dhe nënshkrues i kontratave është ministri Andonovski. Ndonëse këtë situatë skandaloze tentoi ta justifikonte me justifikime absurde. Ky nuk është vetëm një konflikt interesi – ky është një rast i qartë, një dyshim i bazuar mirë për korrupsion.”, Bogdanka Kuzesvska, zëdhënëse e LSDM-së.
Ndërkohë Ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski hodhi poshtë akuzat e LSDM-së për konflikt interesi, duke shtuar se Ministria është e përkushtuar për transparencë, llogaridhënie dhe ligjshmëri në punën e saj. Andonovski tha se Sekretarja Shtetërore në Ministri nuk merr pjesë në asnjë procedurë të prokurimit publik, në asnjë fazë dhe angazhimi i saj është në operacionet administrative dhe buxhetore të Ministrisë, prandaj nuk ka vend për konflikt interesi apo ndikim në procedurë nga ana e saj.
FITIM KRYEZIU
