Bisedimet SHBA-Ukrainë, Kievi pranoi propozimin e SHBA-ve për armëpushim

12.03.2025 17:21

Një epilog i suksesshëm pas bisedimeve njëditore mes Uashingtonit...

Një epilog i suksesshëm pas bisedimeve njëditore mes Uashingtonit dhe Kievit në Xheda. Ukraina pranoi propozimin e SHBA-së për një armëpushim 30-ditor. Mundësia për t'i dhënë fund konfliktit trevjeçar në mënyrë të përhershme dhe të qëndrueshme është e hapur, topi tani është në fushën e Rusisë - theksoi sekretari amerikan i Shtetit.

"Ukraina është gati të ndalojë të shtënat dhe të fillojë negociatat. Tani do t'ua kalojmë këtë ofertë rusëve. Topi është tani në fushën e tyre dhe do të varet nëse do t'i thonë PO ose JO paqes”. – tha Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Marco Rubio.

“Ne bëmë një hap të rëndësishëm, i treguam të gjithë botës se Ukraina dëshiron paqen”, tha emisarja e Zelenskit.

Tani i takon SHBA-ve të bindin Rusinë që të pajtohet me propozimin, është koha për të vërtetën e plotë, theksoi presidenti ukrainas.

“Ukraina është gati për paqe, por SHBA-ja duhet të bindë Rusinë të bëjë të njëjtën gjë. Për të treguar gatishmërinë e tij për t'i dhënë fund luftës. Është koha për të vërtetën e plotë. Nëse bien dakord, pezullimi do të hyjë në fuqi menjëherë” – tha Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski.

Para takimeve të ardhshme me Rusinë, Uashingtoni me mesazhin – “reciprociteti rus është çelësi për arritjen e paqes”.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë është optimist se Moska do ta pranojë propozimin.

“Armëpushimi është shumë i rëndësishëm. Shpresojmë se edhe Rusia do të pajtohet me këtë. Nëse mund ta detyrojmë ta bëjë këtë, do të jetë mirë. Duhen dy persona për të luajtur tango. Kështu që ne shpresojmë që Putini do të pajtohet”. – u shpreh Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

“Moska nuk përjashton kontaktet me përfaqësuesit amerikanë në ditët në vijim”, - njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme ruse.

Reagime erdhën edhe nga liderët evropianë.

“Ky është një hap pozitiv”, ata i bënë thirrje Rusisë që të përgjigjet.

“Duket se amerikanët dhe ukrainasit kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt paqes. Dhe Evropa është e gatshme të ndihmojë në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, shkroi kryeministri polak Tusk në rrjetet sociale.

Presidentja e Komisionit Evropian von der Leyen tha "Ky është një zhvillim pozitiv që mund të jetë një hap drejt një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën".

“BE është e gatshme të luajë rolin e saj të plotë, së bashku me partnerët e saj, në negociatat e ardhshme të paqes”. – deklaroi Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta.

Pas rezultatit të suksesshëm në Xhedan, SHBA vendosi të rifillojë shkëmbimin e inteligjencës dhe ndihmën e sigurisë për Ukrainën. Marrëveshja e mineraleve nuk ishte objekt i bisedimeve. (Fitore Demolli, TVM2)