Eurointegrimi, Mickoski: Procesi i vërtetë pa kushtëzime

13.03.2025 14:23

Maqedonia e Veriut është e angazhuar...

Maqedonia e Veriut është e angazhuar për anëtarësimin në BE, por sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, procesi do të realizohet sipas meritave e jo duke i dhënë prioritet çështjeve dypalëshe.

Komenti pasoi deklaratën e euroambasdorit, Mihaill Rokas, i cili është shprehur se procesi eurointegrues duhet të zhbllokohet tre muajt e ardhshëm.

Mickoski, i cili procesin nuk e shikon si ekzibicionizëm dhe karrierizëm në kundërshtim me interesat e qytetarëve, tha se rruga drejt BE-së duhet të jetë e sigurt, pa kurrfarë kushtëzimesh bilaterale.

“Qytetarët e Maqedonisë dhe shteti në tërësi presin rrugë të vërtetë drejt BE-së. këtë e presim më shumë se dy dekada, i cili do të bazohet në kriteret e Kopenhagës, në sistem i bazuar në merita, një anëtarësim që e kanë pasur të gjitha vendet anëtare, e jo në bilateralizim dhe zgjidhje dypalëshe të kontesteve. Nuk guxojmë të lejojmë që e ardhmja europiane të varet nga zgjidhja e çështjeve dypalëshe, e të cilat nuk kanë kurfarrë lidhje me shekullin 21, por lidhen me diçka që ka nodhur në mesjetë.” – deklaroi Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Mickoski ndërhyrjen i’a faturon Bullgarisë

Ndërkohë, sa i takon reagimit të ministrit të jashtëm të Bullgarisë, Georg Georgiev, se Maqedonia e Veriut nuk ka mirëkuptim të mjaftueshëm për vendimet e gjykatës europiane për të drejtat e njeriut dhe po ndërhyn në punët e brendshme të Bullgarisë, Mickoski akuzat e tilla i’a faturoi vetë fqinjit lindor.

“Qëllimi ynë është të ndërtojmë marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, por kur bëhet fjalë për të vërtetën, jemi këtu që ta komentojmë.  Nëse ndryshimi i Kushtetutës nuk është ndërhyrje direkte në punët e brendshme të një shteti sovran dhe të pavarur, atëherë nuk e di se çfar nënkupton ndërhyrja.” – u shpreh Mickoski.

Mickoski është shprehur se do të vazhdojë të mbështesë të drejtat e minoritetit maqedonas në Bullgari,  përderisa shteti bullgar si shtet europian, thotë se ai nuk është i interesuar ta bëjë këtë.

Kryeministri thirret në konventën për mbrojtjen e të drejtave të bashkësive, si dhe në 14 aktgjykime të Gjykatës për të drejtat e njeriut dhe sipas tij interesimi i Shkupit zyrtar në përmbushjen e këtyre të drejtave, nuk ka kurfarë lidhje me punët e brendshme të shtetit bullgar. (Meral Ismaili, TVM2)