Shëndetësi, rritet numri i të sëmurëve me veshka
Në Maqedoni rreth 160 pacientë...

Në Maqedoni rreth 160 pacientë presin transplantin e veshkës. Aktualisht, 1657 pacientë janë në dializë në 23 qendra në 17 qytete. Mjekët thonë që gjatë ditës së djeshme janë kryer transplantime të veshkave dhe pacientët janë në gjendje stabile. Apelojnë për ngritjen e vetëdijes për dhurim të organeve, sepse kjo do të përmirësojë jetën e pacientëve dhe do të kursejë para në buxhetin e kujdesit shëndetësor.
“Fatkeqësisht RMV-ja është një nga vendet ku hemodializa është më e përfaqësuara dhe përfshin 90 përqind të pacientëve që janë me këtë lloj trajtimi. Ne në të ardhmen duhet të punojmë sa më shumë që të rrisim numrin e transplantimit të veshkave, sepse transplantimi i veshkave mundëson jetë cilësore, rehabilitim të plotë socio-ekonomik dhe gjithashtu një nga mënyrat më të lira të trajtimit të këtyre pacientëve.” – deklaroi Drejtori i Klinikës së Nefrologjisë, Nikolla Gjorgjievski.
“Falenderojmë familjen që ka vendosur të dhurojë organet, jo vetëm për veshkat, por edhe organe tjera, shumë jetë mund të shpëtohen, është një akt që duhet ta inkurajojmë. Buxheti për këtë vit është rritur mbi 30 përqind dhe është vetëm fillimi i përmirësimit të mbrojtes së sëmundjeve nefrologjike” – u shpreh Sashko Klekovski nga FSSH.
Nga viti i kaluar ka ilaçe të reja në Klinikën e Nefrologjisë, që trajtohen pacientët me sëmundje të veshkave me qëllim që të mos arrijnë në fazën e hemodializës.
Mjekët thonë që arsyeja e paraqitjes së sëmundjes së veshkave është hipertensioni dhe diabeti. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
