Botë

Tusk: Britania duhet të mbetet në BE

08.05.2015 20:48

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka thënë se dëshiron që kryeministri i rizgjedhur i Britanisë, David Cameron...

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka thënë se dëshiron që kryeministri i rizgjedhur i Britanisë, David Cameron, të argumentojë se përse Britania duhet të mbetet pjesë e Bashkimit Evropian.
 
Tusk ka thënë se “është thellësisht i bindur se nuk ka jetë më të mirë jashtë BE-së për asnjë vend”.
 
Cameron është zotuar se do të negociojë një “marrëveshje më të mirë” për Mbretërinë e Bashkuar dhe se do të mbajë referendum për anëtarësinë e saj në BE më 2017.
 
Liderë nga e gjithë bota kanë uruar Cameronin, i cili ka fituar vota të mjaftueshme nga zgjedhjet e së enjtes, për të formuar vetë qeverinë e shumicës konservatore.
 
“Llogaris që Qeveria e re britanike të vazhdojë anëtarësinë e Mbretërisë së Bashkuar në BE. Për këtë jam i gatshëm të ndihmoj”, ka thënë Tusk.
 
Konservatorët e Cameronit kanë fituar 331 ulëse në Parlamentin e Britanisë, pesë më shumë sesa janë të nevojshme për të siguruar shumicën.
 
Kjo është fitorja e parë e tyre e tillë qysh në vitin 1992.
 
Rivalët e Cameronit: Ed Miliband, Nick Clegg dhe Nigel Farage kanë dhënë dorëheqje pas dështimit në zgjedhje./evropaelire