Maqedoni
Kuvend, Gashi: Kodi etik do ngrit nivelin e kulturës politike
14.03.2025 16:26
Kodi etik do të kontribojë në ngritjen e fjalorit dhe kulturës politike në Kuvend...

Kodi etik do të kontribojë në ngritjen e fjalorit dhe kulturës politike në Kuvend, vlerëson kryeparlamentari Afrim Gashi. Ai theksoi se edhe pse niveli i komunikimit të tij me deputetët në Kuvend është në nivel të kënaqshëm, megjithatë vlerëson se ka hapësirë për përmirësim të kulturës politike.
“Mendoj se perceptimi i qytetarëve është që nuk janë të kënaqur me atë nivel të diskursit politik dhe kulturës politike, të cilën e kemi në Kuvend. Edhe të jetë e mirë, unë mendoj se ne gjithmonë duhet të kërkojmëmë shumë. Unë jam i kënaqur me të gjithë kolegët që i kam në Kuvend, por kodi etik është një mënyrë e ngritjes së atij niveli dhe mendoj se ajo do të kontribojë edhe në ngritjen e dinjitetit të secilit deputet individualisht, por edhe të Kuvendit si një ndër institucionet më të rëndësishme të shtetit”, u shpreh kryetari i kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi.
Hapet zyre e deputetëve në Manastir, mundësi për takime të drejtpërdrejta me qytetarët
Kryeparlamentari Gashi ishte i pranishëm për vizitë në zyrat e Kuvendit për kontakt me qytetarët Manastir, ku u takua edhe me kryetarin e kësaj komune Toni Konjanovski.
“Shpresoj që kjo do të jetë një nxitje për qytetarët e Manastirit që të vijnë të takohen me deputetët e tyre, ti pyesin dhe ashtu të realizojmë atë tëdrejtë për kontakt të drejtëpërdrejtë të qytetarëve me deputetët”, theksoi Gashi.
“Një vend ku përveç aktiviteteve të rregullta në Kuvend, do të munden të takohen edhe këtu me qytetarët, edhe pse takimet me qytetarët janë të përditshme edhe pa pasur zyre, por tani kanë një vend ku ata do të mund të takohen me të zgjedhurit e popullit”, u shpreh kryetari i komunës së Manastirit, Toni Konjanovski.
Gashi, qëndrimin e tij në Manastir e shfrytëzoi edhe për të vizituar Muzeun e Alfabetit të gjuhës shqipe.
ERSAN PAJAZITI
