Maqedoni

UNT me ligjeratë për historinë shqiptare, Schmitt: Historia shqiptare në sytë e akademisë ndërkombëtare

14.03.2025 16:44

“Pse studjojmë historinë shqiptare” ishte tema e ligjëratës...

“Pse studjojmë historinë shqiptare” ishte tema e ligjëratës së mbajtur në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, ku morën pjesë studentë, profesor, mes tyre edhe rektori i sapozgjedhur, Bekim Fetaji. Ligjërata kishte për qëllim të nxirrte në pah rëndësinë e studimit të historisë shqiptare nga një këndvështrim më i gjerë, evropian dhe botëror.
 
I ftuar special në këtë ngjarje ishte profesori Oliver Jens Schmitt nga Universiteti i Vjenës. Gjatë fjalës së tij, theksoi se historia shqiptare ofron tema të veçanta që janë me interes edhe për historianët ndërkombëtarë.
 
“Historia shqiptare mund t'u ofrojë historianëve që nuk janë me prejardhje shqiptare disa tema të rëndësishme. Për shembull, shqiptarët janë një popull, identiteti i të cilëve bazohet kryesisht te gjuha. Kjo është një gjuhë nga më të vjetrat, e cila u shkrua si gjuhë letrare dhe u përdor që nga shekulli XVI. Kjo mund të krahasohet me rastin e baskëve në Spanjë. Një temë tjetër është edhe integrimi i shqiptarëve në perandoritë dhe roli që ata kanë luajtur”, u shpreh prof.dr. Oliver Jens Schmitt nga Vjena.
 
Profesori universitar, Fatih Iseni, vlerësoi bashkëpunimin me studiues të njohur ndërkombëtarë, si Oliver Jens Schmitt, duke theksuar rëndësinë e sjelljes së perspektivave të reja dhe të thelluara në mësimdhënie dhe kërkime shkencore.
 
“Universiteti Nënë Tereza është i hapur dhe synojmë maksimalisht ta internacionalizojmë atë. Përpiqemi të sjellim para studentëve sa më shumë profesorë me renome botërore”, theksoi profesori universitar Fatih Iseni.
 
Oliver Jens Schmitt, si një historian dhe profesor zviceran, është i njohur për kontributin e tij në studimet mbi historinë e Ballkanit, veçanërisht ato që lidhen me shqiptarët. Ai ka botuar disa vepra të rëndësishme që trajtojnë tema si formimi i identitetit kombëtar shqiptar, historia e Kosovës dhe figurat kyçe historike si Skënderbeu.
 
ARMEND MURSELI