Janevska: Punohet për përmirësimin e standardit studentor, të rinjtë të integrohen në tregun e punës

15.03.2025 15:41

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska...

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, njoftoi se po punohet për përmirësimin e ligjit mbi standardin studentor. Ajo konfirmoi se subvencioni për ushqimin studentor do të mbetet 140 denarë, por do të përfshijë më shumë studentë.

Përsa i përket ndryshimeve në modelin e ushqimit, ajo tha se po shqyrtohen mundësi për përmirësime.

"Po, është në plan. Aktualisht, jemi duke punuar në ligjin për standardin studentor. Sipas kërkesës që kemi marrë nga studentët, shuma e ushqimit studentor do të mbetet 140 denarë, por do të zgjerohet rrethi i përfituesve, duke përfshirë më shumë studentë," – deklaroi Ministreja e Arsimit, Vesna Janevska.

Ministreja e Arsimit, Vesna Janevska, gjithashtu njoftoi se rinovimi i konviktit studentor "Pelagonia" do të fillojë pas përfundimit të dy konvikteve të tjerë që janë në proces përmirësimi. 

Këto deklarata Janevska i dha në Panairin vjetor të arsimit i cili paraqet mundësi për studentët e ardhshëm që të njihen nga afër me mundësitë për zhvillimin e tyre akademik dhe profesional. “Gjatë këtij panairi, u prezantuan universitetet që operojnë dhe mundësitë e punësimit për studentët pas përfundimit të studimeve, për t'u siguruar që ata të dalin sa më të përgatitur në tregun e punës”.

Vesna Janevska theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës do t’i mbështesë gjithmonë të rinjtë që të integrohen në tregun e punës.

“Të rinjtë, universitetet dhe tregu i punës janë shumë të rëndësishëm, dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës do t'i mbështesë gjithmonë ata. Këtë vit, po bëjmë më shumë për standardin studentor, me një rritje prej 18% krahasuar me vitet e tjera”. – tha Ministreja e Arsimit, Vesna Janevska.

Gjithashtu, u shpreh se do të vazhdojë të investoj në mbështetje të rinisë për t'u siguruar edukim cilësor dhe përmirësim të kushteve të jetesës në vendlindjen e tyre. (Armend Murseli, TVM2)