Trump optimist për arritjen e marrëveshjes në Ukrainë
Presidenti amerikan, Donald Trump..

Presidenti amerikan, Donald Trump, është optimist pas takimit të përfaqësuesit Vitkov me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë. Ai beson se ka shanse reale për zbatimin e propozimit për një armëpushim 30-ditor në Ukrainë.
"Mendoj se po ecim mirë. Siç e dëgjuat nga Ukraina, tani duket se kemi përparim edhe me Rusinë. Kemi diskutuar me presidentin rus Putin dhe duam ta përfundojmë këtë luftë." – tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Edhe presidenti francez Emmanuel Macron i ka bërë thirrje Rusisë të pranojë marrëveshjen për armëpushim, e cila është propozuar nga SHBA-ja. Ai theksoi se do të vazhdojnë përpjekjet për të forcuar mbështetjen për Ukrainën dhe për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë. Macron njoftoi gjithashtu se ka zhvilluar biseda telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer.
Zelensky: E pranojmë ofertën për armëpushim dhe paqë
"Sot është një ditë e rëndësishme për diplomacinë, me shumë negociata që mund të na afrojnë drejt paqes. Në tryezë ndodhet propozimi amerikan për një armëpushim të pakushtëzuar në ajër, në det dhe në vijën e frontit. Ukraina e pranon këtë ofertë, dhe nga këtu mund të fillojmë një proces të shpejtë drejt sigurisë së garantuar, përfundimit të kësaj lufte dhe një paqeje të qëndrueshme." – deklaroi Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer, përpara takimit virtual të liderëve botërorë kushtuar Ukrainës, paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin "nuk është i sinqertë në lidhje me paqen". Përpara këtij samiti, ku pritet të marrin pjesë 25 liderë botërorë, Starmer theksoi se nuk duhet lejuar që Putin të "luajë lojëra" me propozimin amerikan për armëpushim. Ai u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës që t'i ofrojnë asaj garanci të forta sigurie. (Armend Murseli, TVM2)
