Qeveria paralajmëron projekte infrastrukturore, Mickoski: Presim gjysëm miliardi euro për investime

15.03.2025 19:36

Së shpejti do ti finalizojmë bisedimet...

Së shpejti do ti finalizojmë bisedimet me një shtet evropian për një fond prej më shumë se gjysëm miliardi euro. Kështu deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski, pa e bërë të ditur shtetin i cili pritet të ndihmojë vendin në rekonstruimin e rrugëve lokale dhe regjionale.

“Kjo do të thotë benefit për komunat, ata do të lidhen me rrugë lokale dhe rajonale dhe të gjithë këtë së bashku me ministrin e transportit e vlerësuam në vlerë prej gjysëm miliardi euro. Shteti, Maqedonia po ndërtohet dhe kjo është mirë dhe duhet të vazhdojmë ta ndërtojmë sepse ne atdhe tjetër nuk kemi”. – deklaroi Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Mickoski, i cili mori pjesë në fillimin e rinovimit të rrugës lokale Draçevë, në Komunën e Studeniçanit, tha se do të vazhdojnë me projekte për një jetë më cilësore për qytetarët, pavarsisht siç tha krerët e komunave janë nga pozita apo opozita.

“Më herët është investuar në komuna, ku kryetarët e tyre nuk ishin nga opozita, ishte zgjedhur nga cilat parti politike ishin. Ne nuk kemi një qëllim të tillë, investojmë kudo dhe do të vazhdojmë të sillemi kështu edhe në të ardhmen. Do të tregojmë një karakter tjetër, një sjellje tjetër, sepse qytetarët si Maqedonasit, Shqiptarët, Turqit, Serbët, Romët, Boşnjakët, Vllehët dhe të gjithë të tjerët, janë qendra e vëmendjes sonë, dhe të gjithë ne do të punojmë për një të nesërme më të mirë për ta”. – u shpreh Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Kryeministri gjithashtu paralajmëroi se Qeveria po punon të mbajë të rinjtë në vend dhe të ndalë largimin e mendjeve të ndritura nga vendi. Tha se janë duke miratuar një plan për punësim që fokusohet tek të rinjtë deri në 29 vjet. Shtoi se do të krijohen masa për të tërhequr studentët që studiojnë jashtë, për ti punësuar dhe për t’i inkurajuar të hapin biznese në Maqedoni.

Paraprakisht, Qeveria ka paralajmëruar 70 mijë vende pune për të rinjtë në katër vitet e ardhshme. Sipas raportit të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, shkalla e papunësisë në Maqedoni është ulur në 12,5%, krahasuar me vitin e kaluar. (Armend Murseli, TVM2)