Tensione dhe protesta në Serbi, qytetarët në rrugë, bllokojnë Beogradin

15.03.2025 20:00

Atmosfera e protestave në Beograd....

Atmosfera e protestave në Beograd po bëhet gjithnjë e më e tensionuar. Studentët në bllokadë.  Është krijuar një mur mbrojtës para Kuvendit të Serbisë dhe forca të mëdha policore janë shpërndarë në qendër të qytetit.

Në rrugën "Zharkova", tre persona u lënduan gjatë një incidenti. Dy gra dhe një burrë u lënduan nga një shofer i cili i goditi qëllimisht deri sa po përgatiteshin të shkonin në protestën në qendër të qytetit.

Personat u transferuan në spital ku morën ndihmën mjekësore dhe u konstatua se kishin pësuar lëndime të lehta, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Menjëherë pas incidentit, policia e gjeti dhe arrestoi personin. U arrestua gjithashtu një burrë tjetër para Kuvendit të Serbisë, pasi i kërcënoi me bomba rojet e sigurisë.

“Qëllimi është i qartë – të mbështesim studentët”.

“Më e rëndësishme është që fëmijët që protestojnë këtu të mos sulmohen dhe të mos shkatërrohen nga automjetet”.

“Kërkesat janë plotësisht të realizueshme nëse qeveria dëshiron t’i plotësojë, por siç po shkon, është e vështirë… Të gjithë shpresojmë për protesta paqësore, dhe çfarë do të ndodhë, do ta shohim. Do të mundohemi të mos përgjigjemi ndaj provokimeve dhe të sillemi me dinjitet”.

“Askush nuk tha se duhet të ketë kaos, protestat duhet të jenë paqësore dhe shpresoj se do të jetë kështu”. – thanë disa nga protestuesit në Beograd.

Vuçiç: Thirrje për paqe dhe siguri gjatë protestave në Serbi

Ndërkohë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç bëri apel që të ruhet paqa.

“Qeveri kalimtare, qeveri mashtruese pa zgjedhje, në të cilën duhet të hyjnë më të këqijtë nga ky vend, vetëm sepse mendojnë se kanë fuqi në rrugë, nuk do të ketë gjithçka derisa të jem gjallë. I ftoj të gjithë që të ruajnë paqen me çdo çmim, dhe nëse kjo nuk ndodh, shteti do të sigurojë dhe do të garantojë sigurinë për çdo qytetar.” – tha Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Kolonat e demonstruesve, të cilët iu përgjigjën thirrjes së studentëve në bllokadë, kanë lëvizur nëpër Beograd nga të gjitha drejtimet dhe pjesët e qytetit, dhe vëzhguesit e vlerësojnë këtë si një protestë historike. (Armend Murseli, TVM2)