Maqedoni
Tragjedi në Koçan, 51 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur nga zjarri në diskotekë
16.03.2025 10:27
51 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë lënduar në një diskotekë në Koçan...

51 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 100 janë lënduar në zjarrin që përfshiu një diskotekë në Koçan. Këto janë informacionet e para të konfirmuara nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Ministri tha se zjarri ka shpërthyer rreth orës 02:30 si pasojë e shkëndijave nga mjetet piroteknike të përdorura për efektet e dritës gjatë koncertit të grupit DNK.
"Sipas informacioneve fillestare, zjarri ka ndodhur si pasojë e shkëndijave nga mjetet piroteknike, të cilat ndezën konstrukcionin e çatisë. Deri tani, konfirmohet se 51 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 100 janë të plagosur në tragjedinë në Koçan. Në këtë moment, më e rëndësishmja është të përcaktohen të gjitha faktet dhe provat, të shprehim ngushëllime për familjet dhe të veprojmë me qetësi në të gjitha hapat, në mënyrë që diçka e tillë të mos përsëritet.”, tha ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski.
Ai tha se të gjithë përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi, përfshirë organizatorët e koncertit dhe zyrtarët komunalë që janë përgjegjës për dhënien e lejeve për funksionimin e objekteve si diskoteka.
"Çdo person që ka përgjegjësi, ju siguroj se do të japë llogari. Një pjesë e personave janë arrestuar, ndërsa disa nga organizatorët e ngjarjes janë mes të plagosurve rëndë. Jemi në koordinim me Prokurorinë Publike dhe hetuesit janë dërguar në vendngjarje.”, tha Toshkovski.
Viktimat ndodhen në disa spitale në vend dhe, pas identifikimit, do të dërgohen për autopsi në Shkup.
ARMEND MURSELI
