Maqedoni

Tragjedia në Koçan, Taravari: Të hospitalizuar janë 118 të lënduar, për momentin, nuk ka nevojë për gjak

16.03.2025 10:43

Taravari deklaroi se në tragjedinë e Koçanit janë lënduar gjithsej 118 persona...

Në spitalet e vendit janë shtruar 118 persona të lënduar nga zjarri shkatërrues në diskotekën e Koçanit, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. Ai nuk deshi të spekulojë se sa prej tyre janë në rrezik për jetën. Tha se të plagosurit po trajtohen në Qendrën Klinike, në Spitalin e Përgjithshëm "8 Shtatori", në ish-Spitalin e Qytetit në Shkup, si dhe në Spitalin Klinik të Shtipit dhe spitalin e Koçanit.

“Janë trajtuar 118 persona. Të gjithë pacientët janë pranuar, të gjitha kapacitetet janë vënë në funksion dhe do të bëjmë maksimumin për t'u kujdesur për ta.”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
Ai tha se për momentin ka mjaftueshëm gjak për të lënduarit.
 
“Nëse do të ketë nevojë për gjak, kemi kapacitete të mjaftueshme dhe për momentin nuk ka nevojë. Më kontaktoi edhe ministri i Shëndetësisë së Bullgarisë. Për momentin jemi të organizuar plotësisht.”, tha Taravari.
 
Taravari nuk deshi të japë detaje mbi gjendjen shëndetësore të të lënduarve. Ai tha se do t’i bëjë publike informacionet pasi të vizitojë të gjitha spitalet në Shkup, Koçan dhe Shtip dhe të bisedojë me mjekët që po i trajtojnë pacientët.
 
ARMEND MURSELI