Tragjedia në Koçan, Toshkovski: 59 të vdekur, mes tyre edhe një zyrtar policor

16.03.2025 15:09

Ka shkuar në 59-të persona...

Ka shkuar në 59-të persona, numri që kanë humbur jetën nga zjarri i madh që shpërtheu në diskotekën e Koçanit, ndërsa i të lënduarve në 155, njoftoi së fundmi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Në mesin e viktimave, është edhe një zyrtar policor, i cili natën e tragjedisë ka qenë në detyrë për të zbuluar drogë dhe praninë e të miturve në klubin e natës.

Sipas ministrit, policia ka shpallur fletëarrest për katër persona dhe po shqyrtohet edhe dokumentacioni për lejen e diskotekës nga Ministria e Ekonomisë.

“Nga të identifikuarit, 31 janë nga Koçani dhe 4 nga Shtipi. Numri i të lënduarve është 155, të cilët po trajtohen në disa spitale të vendit. Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e të ndjerëve nga zjarri, në të cilin humbi jetën edhe një punonjës policie nga stacioni i policisë në Probishtip, i cili ishte duke zbatuar një plan të mëparshëm për luftën kundër drogës dhe pranisë së të miturve në diskotekën përkatëse. Shefi i Sektorit të Punëve të Brendshme në Shkup më tha se polici do të shpërblehej si polici më i mirë në territorin e këtij sektori. Për fat të keq, ky shpërblim do të jetë posthum.” – tha Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Toshkovski shtoi se të gjitha institucionet janë të angazhuara në terren, përfshirë edhe prokurorë nga Prokuroria për Krim të Organizuar, dhe po ndërmerren të gjitha veprimet lidhur me këtë ngjarje tragjike.

“Po punojmë intensivisht, me të gjitha mundësitë që disponojmë. Prokuroria është e përfshirë. Do të përfshihen edhe shumë shërbime inspektuese, që gjatë ditës do të kryejnë kontrolla. Janë të përfshirë të gjithë ata që kanë lidhje me procesin e kontrollit dhe veprimet konkrete që mund të ndërmarrim. Po analizohet gjithçka që mund të jetë e lidhur me këtë ngjarje të tmerrshme. Kjo përfshin dokumentacionin ndërtimor-teknik, kushtet e nevojshme për vënien e një objekti të tillë në funksion, licencat përkatëse që ai duhet të posedojë, si dhe për veprimet konkrete gjatë ngjarjes, sigurinë dhe veprimet në përputhje me rregulloret dhe aktet nënligjore." – tha Toshkovski.

Për shkak të hetimeve, Toshkovski nuk u përgjigj në pyetjet e gazetarëve për identitetin e katër personave të kërkuar me fletëarrest, as për numrin e të arrestuarve apo të personave të marrë në pyetje për tragjedinë.

Shkaktar i zjarrit në diskotekën e Koçanit janë bërë fishekzjarret, të cilat u ndezën për të krijuar një atmosferë të paharruar, por që papritmas kapluan çatinë e klubit. Ky i fundit mori flakë lehtësisht dhe shërbeu si shkaktari kryesor për këtë ngjarje tragjike. (Armend Murseli, TVM2)