Tragjedia në diskotekën në Koçan, Toshkovski: Të arrestuar më shumë se 20 persona

16.03.2025 17:05

Maqedonia në vaj, ndërsa përgjegjësi do të ketë...

Maqedonia në vaj, ndërsa përgjegjësi do të ketë. Kështu u shpreh Ministri i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski, në press konferencën e fundit, drejtuar opinionit. Ai bëri të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë Publike, deri në këto momente ka ngritur dyshime në mbi 20 persona, prej të cilëve 15 persona ndodhen në stacionin policor, e disa ndodhen në spital.

Mes të arrestuarve janë edhe një ish-sekretar shtetëror i Ministrisë së Ekonomisë, një ish udhëheqës i një sektori brenda Ministrisë së Ekonomisë, një ish-drejtor i Drejtorisë për Shpëtim dhe tre të punësuar në këtë drejtori.

“Aktualisht, kemi siguruar katër persona në spital: dy anëtarë të bendit, djalin e pronarit të diskotekës dhe menaxherin e subjektit juridik që e ka menaxhuar diskotekën. Disa nga të arrestuarit, të cilët ndodhen momentalisht në stacionin policor, janë persona, që sipas provave të mbledhura, kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë ngjarje. Është ndaluar edhe një person që ka qenë organizatori i ngjarjes dhe për të cilin dyshohet se ka një përgjegjësi të drejtpërdrejtë për incidentin”. – u shpreh Ministri i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski.

Kompania nuk ka pas licencë legale

Lidhur me licencat e kompanisë, Toshkovski tha se janë ilegale dhe të falsifikuara, të marra në mënyrë korruptive. Disa nga të arrestuarit në Koçan, janë persona që kanë qenë organizatorë të ngjarjes, disa janë përfshirë në sigurimin e eventit dhe disa të tjerë në aktivitete të tjera që kanë ndodhur atë natë.

Rreth 500 njerëz kanë qenë të pranishëm në diskotekë. Emrat e të vdekurve do të jepen pas identifikimit.

3  të mitur kanë ndërruar jetë,  ndërsa 20 janë në gjendje kritike, të cilët  do të dërgohen, në Turqi, Bullgari dhe do të ju jepet tretman mjekësor.

Policia ka marrë në pyetje mbi 25 dëshmitarë të ngjarjes dhe vazhdon mbledhjen e provave. (Armend Murseli, TVM2)