Tragjedia në Koçan, Mickoski: Sistemi i korruptuar, përgjegjësi do të ketë

16.03.2025 20:02

Tragjedia në Koçan është si pasojë e një sistemi të korruptuar...

Tragjedia në Koçan është si pasojë e një sistemi të korruptuar, i cili është vendosur në vend, tha kryeministri Hritijan Mickoski në konferencën për media. Ai informoi se objekti ku ndodhi tragjedia ka licencë të falsifikuar, e cila është nxjerrur përmes mitos.

Mickoski shtoi se aty ishte regjistruar si komunikim me investitorë të huaj për një kabare, dhe jo si licencë për një disko.

“Ky është një dokument për funksionimin e një kabareje, i cili është lëshuar në mënyrë të paligjshme, me vulën origjinale të Ministrisë së Ekonomisë dhe me nënshkrimin e ish-zyrtarëve të asaj ministrie. Ka shumë pyetje këtu që hetimi do t’i përgjigjet” – deklaroi Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se nuk do të japë dorëheqje nga posti pas tragjedisë në Koçan. Fillimisht potencoi se do ta mposhtë të gjithë sistemin e korruptuar në vend, e më pas në zgjedhje do të jenë qytetarët ata që do të vendosin nëse ai duhet të largohet nga posti.

Betejën e tij e cilësoi si betejë mes të ndershmëve dhe të pandershmëve.

“Kjo nuk është një betejë ndërpartiake mes VMRO-DPMNE dhe LSDM, por është një betejë e të ndershmëve kundër të pandershmëve dhe të korruptuarve nga të gjitha partitë dhe institucionet. Këtë e them për të gjithë njerëzit e ndershëm në Maqedoni, si në VMRO-DPMNE, ashtu edhe në LSDM, në VLEN, në BDI dhe në parti të tjera që sinqerisht duan që shteti të ketë rregull dhe ligj. Pavarësisht dallimeve ideologjike, duhet t’i jepet fund korrupsionit dhe të poshtërohen njerëzit e korruptuar dhe të shfrenuar që keqpërdorin institucionet, ashtu siç ata e poshtëruan dhe shkelën atë që sot e pamë dhe ato janë shpirtrat tanë” – tha Mickoski.

Qeveria shpalli 7 ditë zie në gjithë territorin e shtetit pas tragjedisë në Koçan dhe u bëri thirrje të gjithëve të respektojnë këtë vendim, "pasi dënimet për mosrespektim do të jenë rigoroze”.

Gjithashtu, e ngarkoi Inspektoratin Shtetëror të Tregut që në tre ditët e ardhshme të kryejë një kontroll të jashtëzakonshëm inspektimi në objektet e gastronomisë në të gjithë territorin e vendit dhe ta informojë menjëherë Qeverinë për gjetjet nga ky inspektim, me qëllim që të përcaktohet gjendja faktike dhe nëse këto objekte funksionojnë sipas standardeve dhe plotësojnë kushtet në përputhje me ligjet dhe rregulloret e shtetit. (Ersan Pajaziti, TVM2)