Taravari: 47 të lënduar do të hospitalizohen jashtë vendit

16.03.2025 20:51

Dyzet e shtatë pacientë të cilët ishin në gjendje kritike...

Dyzet e shtatë pacientë të cilët ishin në gjendje kritike dhe mesatare kritike pas zjarrit në diskotekën “Pulse” të Koçanit do të trajtohen jashtë vendit, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.

Taravari tha se aktualisht në spitalet e Maqedonisë janë  shtruar 115 pacientë dhe se të gjithë janë në gjendje stabile dhe të mirë, jashtë rrezikut për jetën.

Megjithatë, ai ka theksuar se me djegiet mund të ndryshojë gjendja dhe të ndodhin komplikime të mëvonshme

“Gjithsej janë 115 pacientë që trajtohen nëpër spitalet tona. Disa pacientë që janë në gjendje kritike janë dërguar jashtë vendit. Në Selanik janë dërguar 3 pacientë dhe  tanimë të vendosur atje në spiatalin ‘Papa Nikollau’. Në Bullgari janë 14 pacientë, në Sofjejanë 8, në Plovdiv janë 3 pacientë, në Varna janë 3 pacientë të shtrirë në institucionet shëndetësore.  Me aeroplan do të udhëojne 15 pacientë dhe gjithsejt 47 pacientë do të trajtohen jashtë vendit” – u shpreh Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.

Në zjarrin që shpërtheu mëngjesin e 16 marsit në diskotekën “Puls” në Koçan të Maqedonisë së Veriut, 59 persona kanë vdekur, ndërsa  155 janë plagosur.

Zjarri ka shpërthyer për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike që ishin përdorur për efektet vizuale gjatë koncertit.

Viktimat janë të rinj nga mosha 14 deri në 24 vjeç. Një ekip prej gjashtë prokurorësh kanë filluar hetimet. Ka 20 të dyshuar, dhe një pjesë nga ta janë arrestuar. 

Ekipet e Kryqit të Kuq dhe institucionet tjera po ofrojnë ndihmë për familjarët e të lënduarve që presin para spitaleve. Ndihmë kanë ofruar edhe nga vendet fqinje dhe BE-ja. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)