Rama godet kundërshtaret në “Facebook”

18.03.2025 14:01

Duke kritikuar listën me kandidatët e Sali Berishës....

Duke kritikuar listën me kandidatët e Sali Berishës, kryeministri Edi Rama ironizoi largimin e disa aleatëve, ende pa nisur fushatat për zgjedhjet e 11 majit.

“Edhe Selami Jenisheri ishte distancuar nga Aleanca, se ata në fakt kanë luftë të fortë për pushtet me Kujtim Gjuzin. Kujtim Gjuzi po është kryeministri në hije i Aleancës, sepse e vetmja gjë madhështore që ka ajo aleancë, janë mustaqet e Kujtimit. Por situata në kënetë është turbulente, megjithatë pa problem, se i ha bufi ata dhe i kollofit. E keni parë listën e bufit si e ka bërë? listë për opozitë qëndrestare!” – u shpreh Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama ka pasur replika edhe me ish-kryetarin e partisë Demokratike, i cili ka krijuar parti më vete. Lulzim Basha i kujtoi shokët e Partisë që sipas tij ia mori SPAK-u, ndërsa Rama, Berishën që e la pa parti e pa vulë.

Basha: “S’më ktheve përgjigje, ku i ke shokët? E di atë këngën e Unikatil ‘Ku t’kanë met shokët’?”

Rama: “Jo se s’tu përgjigja, po nuk doja të të lendoja, se për vete je jetim fare, të ikën të gjithë. Më duket se të nxorën ata në rrugë të madhe, po t’i ahaa, buza vesh më vesh, flokët pikë”.

Komunikimi publik i kryeministrit Edi Rama me opozitën është vetëm në këtë formë, përmes videove dhe rrjeteve sociale, ndërsa sfidën thotë se e ka me objektivin që Shqipërinë ta anëtarësojë në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030. (Luljeta Ndoka, TVM2)