Maqedoni

Mbi 70 pacientë jashtë vendit, do dërgohen pacientë në Itali, Holandë dhe Belgjikë

18.03.2025 15:06

Mbi 70 pacientë ndodhen jashtë vendit për mjekim intensiv në reparte të specializuara....

Mbi 70 pacientë ndodhen jashtë vendit për mjekim intensiv në reparte të specializuara. Duke pasur parasysh se kapacitetet në vendet fqinje janë mbushur, prej sot pacientët do të dërgohen edhe në Itali, Holandë dhe Belgjikë, ndërsa ekipet mjekësore nga Çekia dhe Izraeli po ndihmojnë mjekët tanë, njoftoi drejtori i fondit shëndetësor Sasho Klekovski, duke bërë me dije se edhe një ekip nga Britania e Madhe do të mbërrijë sot në vend për të ndihmuar në përgatitjen e fazës së ardhshme të rehabilitimit të të lënduarve. Sipas tij, fakti që të gjithë pacientët janë gjallë është një sukses i madh, ndërsa ata në gjendje kritike janë dërguar në qendra të specializuara jashtë vendit.
 
“I siguroj anëtarët e familjeve se të gjithë pacientët, pa përjashtim, janë mobilizuar dhe po bëhen përpjekje maksimale për trajtimin e tyre. Nuk ka asnjë pacient në gjendje kritike që të mos jetë i shtruar në një institucion për trajtimin e djegieve, ndërsa Qeveria ka mundësuar që prindërit të jenë pranë fëmijëve të tyre.”, tha drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski.
 
Mickoski: Qeveria mbulon harxhimet për familjet
 
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se është në kontakt të vazhdueshëm me vendet evropiane për sigurimin e kujdesit për të lënduarit nga zjarri, ndërsa njoftoi se shpenzimet për pacientët jashtë vendit do të mbulohen nga Qeveria. 
 
“Do ta konfirmojmë vendimin për të mbuluar shpenzimet për 2 anëtarë të familjes, në mënyrë që të mund të shkojnë atje ku janë të shtruar pacientët, duke përfshirë transportin dhe akomodimin. Jemi në kontakt me shumë liderë evropianë dhe botërorë, ndihma po vjen nga të gjitha anët dhe unë jam mirënjohës ndaj fqinjëve dhe të gjithë të tjerëve.”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Mickoski tha se si qeveri do të vazhdojnë të bëjnë gjithçka që munden që pacientët të marrin trajtim cilësor jashtë vendit. 
 
ERSAN PAJAZITI