Selanik, Taravari dhe Mucunski vizitojnë të lënduarit, 5 pacientët në spitalet greke janë stabil

18.03.2025 16:07

Të tre pacientët e shtruar në spitalin "Papanikolau"...

Të tre pacientët e shtruar në spitalin "Papanikolau" dhe dy të tjerët në Spitalin Ushtarak në Selanik janë në gjendje stabile, bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, pas vizitës që zhvilloi së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.

Ata u pritën nga zëvendësministri grek i Punëve të Brendshme, Kostas Yulekas, dhe zëvendësministri i Jashtëm, Tasos Hazivasiliu.

Mjekët e përshkruajnë gjendjen e pacientëve si kritike, por të qëndrueshme. Shqetësuese mbetet fakti se ata kanë pësuar djegie të brendshme dhe kanë thithur një sasi të madhe tymi. Të gjithë janë të rinj, të moshës nga 19 deri në 27 vjeç.

"Të gjithë 5 pacientët e shtruar në këto spitale janë në gjendje stabile. Falënderoj kolegët tanë në Selanik, popullin grek dhe qeverinë për përkushtimin dhe ndihmën e tyre," - shkroi Taravari në Facebook.

Mbrëmjen e djeshme, tre të lënduar të moshës 20, 22 dhe 24 vjeç u transferuan me avion të Forcave Ajrore Greke në Athinë për trajtim të mëtejshëm.

Ndërkohë, dy pacientë të tjerë u transportuan në Lubjanë me aeroplan ushtarak nga Sllovenia për trajtim mjekësor.

"Kemi katër kirurgë plastikë në dispozicion dhe dy shtretër në kujdesin intensiv për të lënduarit. Ky lloj trajtimi mund të zgjasë disa muaj, duke përfshirë periudha të gjata intubimi, disa ndërhyrje kirurgjikale dhe transplantim të lëkurës artificiale ose të pacientit," – tha Dr.Marko Jug nga Qendra Universitare Mjekësore në Lubjanë.

“Së shpejti presim të mbërrijnë edhe dy pacientë të tjerë që do të trajtohen në Qendrën Klinike Universitare në Maribor," deklaroi Ministrja e Shëndetësisë së Sllovenisë, Valentina Prevolnik Tupel.

Ministrat Mucunski dhe Taravari pritet të vizitojnë edhe pacientët e lënduar që janë transferuar për trajtim në Bullgari. (Ardita Ramadani, TVM2)