Tragjedia në Koçan, 16 persona në paraburgim afatshkurtë
Gjykatësi në procedurë paraprakë në Koçan...

Gjykatësi në procedurë paraprakë në Koçan deri në ora 4 të mëngjesit ka pranuar 16 kërkesa të Prokurorisë për paraburgim afatshkurtër prej 48 orëve, si të dyshuar në fazën parahetimore për ngjarjen tragjike në Koçan, ku humbën jetën 59 persona dhe mbi 150 të tjerë mbetën të lënduar.
"Deri në këto momente, Prokuroria Themelore Publike në Koçan propozoi caktimin e masës së paraburgimit për 16 persona. Propozimi është pranuar dhe masa është shqiptuar për të gjithë 16 personat."
Këto paraburgime skadojnë nesër, ndërsa prokurorët mund të kërkojnë një paraburgim të mëtejshëm prej 48 orësh për secilin prej këtyre të dyshuarve për të siguruar praninë e tyre gjatë mbledhjes së provave, dhe më pas mund të kërkohet paraburgim 30-ditor për secilin të dyshuar.
Në mesin e personave të dyshuar është edhe Ish ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe zyrtarë të tjerë në ministri, Ish drejtori i Inspektoratit të tregut Goran Trajkovski dhe të punësuar të tjerë, Ish drejtori i drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, Organizatori i koncertit, pjestarë të sigurimit, etj.
Hetimi është zgjeruar edhë në më shumë institucione, si Inspektorati i punës dhe Qendra për menaxhim me kriza, megjithatë akoma nuk është informuar nëse ka të arrestuar dhe në paraburgim nga funksionarët aktual edhe pse u paralajmërua se askush nuk do të kursehet në këtë rast. Kryetari i Koçanit, Lupço Papazov, pas deklarimit të tij para prokurorit, nuk është ndaluar, ndërsa policia ka zhvilluar kontrollë në objektin komunal në Koçan.
Ashtu siç parlajmëroi dje Kryeprokurori, hetimi do të jetë i shpejtë dhe transparent. Janë siguruar të gjitha faktet dhe dëshmitë nga vendi i ngjarjes, ndërsa po bëhën analiza dhe ekspertiza plotësuese. Është kryer bastisje edhe në Ministrinë e Ekonomisë prej ku janë marrë dokumentacione dhe kompjutorë ndërsa ekspertizës do t’i nënshtrohet edhe nënshkrimi i dokumentit.
Nga Prokuroria Publike njoftojnë se gjatë hetimit është konstatuar se në afërsi të objektit të diskotekës "Puls"në Koçan, është gjetur depo për derivate nafte, rrethanat e së cilës po hetohen.
Në bazë të nenit 229 të Kodit Penal personat e ndaluar dyshohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme. Po hetohen edhe veprime për mito si dhe sigurimin mjeteve piroteknike në mënyrë kundërligjore. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
