Fillon verifikimi i licencave, Mickoski: Ligji për hotelieri ka lëshime
Fillon kontrolli për të gjitha licencat në vend....

Fillon kontrolli për të gjitha licencat në vend. Kryeminstri i vendit, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar se do të insiston në ndryshime të ligjit për hotelieri.
“Në bazë të ligjit për hotelieri, licencohen kabaret, licencohen diskotekat e mbyllura dhe të hapura. Në vitin 2007 është ndryshuar ligji, dhe në këto ndryshime të ligjit, parashihet që subjekti juridik kur të dorëzojë dokumentacionin për të kërkuar licencë, jep një deklaratë që siguron nën përgjegjësinë morale, materiale dhe përgjegjësi penale se i plotëson kushtet, por problemi është se këto dokumente nuk janë kontrolluar. Pra këtu qëndron lëshimi i ligjit, ku lë hapësirë që vetë subjekti të kërkojë licencë, të sigurojë se i plotëson kushtet, pa pasur ndonjë kontroll nga Inspektorati i Tregut ose Ministria e Ekonomisë. Dhe ndaj këtij obejkti është kryer kontroll në vitin 2022, ndërsa ai në vitin 2021 e kishte pasur licencën, pastaj licenca e dytë është dhënë në vitin 2023, ndërsa në vitin 2024 licenca është falsifikuar.” – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Njohës të fushës së ndërtimtarisë dhe urbanizmit thonë se janë lehtësuar procedurat e licencës për klubet e natës, kabaretë dhe diskotekat, pikërisht për të anashkaluar kriteret dhe standardet e rrepta të sigurisë.
Paunovski i hedh fajin Komunës
Ndërsa ish-drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Stojko Paunovski, në një deklaratë dhënë mediave të vendit, ka pohuar se Klubi nuk kishte licencë të vlefshme, sepse nuk i plotësonte kërkesat.
“Në licencë thuhet se një objekt hotelerie mund të funksionojë si kabare apo disko klub, pra deri në orën 4 të mëngjesit. Prandaj i morën ato licenca që të mund të punonin deri vonë në mëngjes. Komuna duhej të dinte nëse objekti i hotelierisë kishte licencë, sepse paratë duhej të shkonin në llogarinë e komunës. Që një klub të marrë një licencë, shumë autoritete shtetërore duhet të kryejnë një inspektim. Ministria e Transportit lëshon një leje për objektin për të parë nëse objekti plotëson kërkesat urbanistike dhe të sigurisë. Pastaj policia duhet të kontrollojë nëse objekti ka vend parkimi të mjaftueshëm, 2-3 dalje, dalje për evakuim” – tha për “Veçer”, ish-drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Stojko Paunovski.
Sipas një analize, thuhet se vetëm në Shkup funksionojnë diku 130 deri më 180 objekte të tilla, ndërsa sipas shifrave zyrtare gjatë vitit 2024, janë lëshuar vetëm 12 licenca për lokalet në të gjithë vendin, ndërsa në Shkup janë lëshuar vetëm 2 licenca, që lë të nënkuptohet se të gjithë të tjerët janë duke funksionuar pa licenca. (Fitim Kryeziu, TVM2)
