Botë

Rusia pajtohet të mos sulmoj infrastrukturën

18.03.2025 20:51

Presidenti rus, Vladimir Putin, në një bisedë telefonike me presidentin amerikan Trump...

Presidenti rus, Vladimir Putin, në një bisedë telefonike me presidentin amerikan Trump, është pajtuar që të ndalë sulmet ndaj sektorit të energjisë të Ukrainës dhe infrastrukturës për 30 ditë, si një hap drejt arritjes së një armëpushimi të plotë.
 
Sipas njoftimeve për telefonatën e zhvilluar mbi 90 minuta – nga Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë u tha se janë të përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje për paqe afatgjatë me qëllim që t’i jepet fund luftës në Ukrainë.
 
“Udhëheqësit janë pajtuar se lëvizja drejt paqes të fillojë me një armëpushim për energjinë dhe infrastrukturën, por edhe negociata teknike për zbatimin e një armëpushimi detar në Detin e Zi, një armëpushim të plotë dhe paqe të përhershme. Këto negociata do të nisin menjëherë në Lindjen e Mesme”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
 
Në njoftimin e lëshuar nga Kremlini, u tha se Putini si kusht kyç për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe për të punuar drejt zgjidhjes së tij përmes mjeteve politike dhe diplomatike duhet të jetë ndalimi i plotë i ndihmës së huaj ushtarake dhe i ndarjes së informacioneve të inteligjencës me Kievin.