Maqedoni

Tragjedia në Koçan, 17 persona në paraburgim afatshkurtër

19.03.2025 10:58

Deri më tani Gjykatësi në procedurë paraprakë në Koçan ka pranuar 17 kërkesa të Prokurorisë për paraburgim afatshkurtër prej 48 orëve...

Deri më tani Gjykatësi në procedurë paraprakë në Koçan ka pranuar 17 kërkesa të Prokurorisë për paraburgim afatshkurtër prej 48 orëve, si të dyshuar në fazën parahetimore për ngjarjen tragjike në Koçan ku humbën jetën 59 persona dhe mbi 150 të tjerë mbetën të lënduar. Këto paraburgime skadojnë sot ndërsa prokurorët mund të kërkojnë një paraburgim të mëtejshëm prej 48 orësh për secilin prej këtyre të dyshuarve për të siguruar praninë e tyre gjatë mbledhjes së provave, dhe pasi ta hapet hetimi mund të kërkohet paraburgim 30-ditor për secilin të dyshuar. Nëse do të vazhdohen paraburgimet, prokuroria do të njoftojë gjatë ditës.
 
Në mesin e personave të dyshuar është edhe Ish ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe zyrtarë të tjerë në ministri, Ish drejtori i Inspektoratit të tregut Goran Trajkovski dhe të punësuar të tjerë, Ish drejtori i drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, Organizatori i koncertit, pjesëtarë të sigurimit, Inspektorati i punës dhe Qendra për menaxhim me kriza, megjithatë akoma nuk është informuar nëse ka të arrestuar dhe në paraburgim nga funksionarët aktual. Ashtu siç ka paralajmëruar Kryeprokurori, hetimi do të jetë i shpejtë dhe transparent.
 
Janë siguruar të gjitha faktet dhe dëshmitë nga vendi i ngjarjes, ndërsa po bëhen analiza dhe ekspertiza plotësuese. Në bazë të nenit 229 të Kodit Penal personat e ndaluar dyshohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme. Po hetohen edhe veprime për mito si dhe sigurimin mjeteve piroteknike në mënyrë kundërligjore.
 
FLORIE BELULI KAMBERI