Botë
Izraeli sulmon sërisht Gazën
19.03.2025 12:05
Të paktën 13 persona janë vrarë në sulmet ajrore gjatë natës në Gazë...

Të paktën 13 persona janë vrarë në sulmet ajrore gjatë natës në Gazë, pasi Izraeli njoftoi rinisjen e operacioneve luftarake. Dy civilë u vranë dhe pesë u plagosën nga një dron izraelit pranë zonës humanitare Muasi, sipas agjencisë palestineze Uafa.
Ushtria izraelite tha se kishte goditur një objekt ushtarak të Hamasit nga ku po përgatitej një sulm ndaj Izraelit.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se luftimet do të rifillonin me “forcë të plotë” dhe se “ky është vetëm fillimi”.
Bombardimet nuk janë në të njëjtën shkallë si të martën, kur Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi tha se u vranë mbi 400 njerëz por tregojnë se sulmi i ri i Izraelit nuk po ndalet. Netanjahu tha se objektivat e Izraelit mbeten kthimi i pengjeve dhe eliminimi i Hamasit, por familjet e pengjeve e kritikuan këtë vendim, duke e parë si braktisje të të dashurve të tyre. Izraeli thotë se Hamasi ende mban 59 pengje, nga të cilët 24 besohet se janë gjallë.
Egjipti e quajti sulmin një “shkelje flagrante” të armëpushimit. Ministria e Shëndetësisë në Gazë ende nuk ka dhënë një numër të saktë të viktimave të fundit.
