Botë

Biseda telefonike Trump-Putin, Putin pezullon sulmet ndaj energjetikës, refuzon armëpushimin

19.03.2025 15:21

Presidenti rus ka shprehur gatishmërinë për të pezulluar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës...

Presidenti rus, Vladimir Putin në një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, ka shprehur gatishmërinë për të pezulluar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, por ka refuzuar të pranojë një armëpushim të plotë. Në një njoftim nga Kremlini, thuhet se kushti për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit është ndalimi i plotë i ndihmës ushtarake për Kievin.
 
“Kushti kyç për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit dhe zgjidhjen e tij me mjete politike dhe diplomatike duhet të jetë ndalimi i plotë i ndihmës ushtarake dhe të inteligjencës nga jashtë për Kievin.”, – thuhet në njoftimin e Kremlinit.
 
Trump ka komentuar se ky është një hap i parë drejt paqes dhe ka theksuar se negociatat duhet të përfshijnë një armëpushim detar në Detin e Zi, si dhe një përfundim të qëndrueshëm të luftës. Ai mohoi se gjatë bisedës ishte diskutuar për ndihmën ushtarake dhe të inteligjencës për Ukrainën.
 
“Kishim një telefonatë të shkëlqyer. Folëm për shumë çështje dhe për arritjen e paqes, por nuk u diskutua fare për ndihmën ushtarake.”, - tha presidenti i SHBA-së Donald Trump.
 
Zelensky: Ukraina e gatshme për paqe, por të jetë pjesë e negociatave
 
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka theksuar se Ukraina është e gatshme të mbështesë çdo propozim që çon në paqe, por ka kërkuar të jetë pjesë e negociatave.
 
“Ka dy palë në këtë luftë – Rusia dhe Ukraina. Përpjekja për të negociuar pa Ukrainën, sipas mendimit tim, nuk do të jetë produktive.”, - tha presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.
 
Pas bisedës telefonike, Ukraina u godit përsëri nga dronët rusë. Negociatat për paqe do të vazhdojnë këtë fundjavë në Arabinë Saudite.
 
ARMEND MURSELI