Maqedoni

Gostivari pret 5 ambasadorë

09.05.2015 09:11

Qyteti i Gostivarit ka vazhduar traditën e shënimit të 9 Majit – Ditës së themelimit të Evropës së Bashkuar...

Për të shënuar bashkë këtë organizim, në Gostivar qëndruan ambasadorët e Grupit të Vishegradit . Ambasadorët e Polonisë, Republikës Çeke, Hungarisë dhe përfaqësues të ambasadës së Sllovakisë dhe Greqisë bashkë me kryetarin Bejta vizituan Qendrën për Zhvillimin e të Rinjve dhe më pas edhe  Shkollën Fillore “Ismail Qemali” , nxënësit e së cilës kanë vendosur edhe këtë vit shtandet që  përfaqësonin vendet nga vinin ambasadorët .
 
Kryetari i Gostivarit Nevzat Bejta, tha me këtë rast se ashtu si Evropa që është një bashkësi ku komunitete të ndryshme jetojnë në harmoni dhe të barabartë, edhe Gostivari jeton në një realitet të ngjashëm ku në mënyrë të barabartë jetojnë shqiptarët, maqedonasit, turqit, romët dhe të tjerët.
 
“Vlerësoj dhe dua që ky shembull të ndiqet edhe nga shteti ynë, si një shtet multietnik sepse vetëm atëherë ne do të jemi të përgatitur për të jetuar në Bashkimin Evropian, ngaqë të ndarë, të pabarabartë dhe të diskriminuar nuk kemi vend në bashkësinë shumëkombëshe.  Qytetarët e Gostivarit e duan Evropën, duam sa më shpejtë të jemi anëtarë të Evropës së bashkuar. Ne dëshirojmë, por edhe punojmë që Gostivari të duket dhe t’ju ngjasojë qyteteve të Bashkimit Evropian. Ne besojmë se një ditë edhe ne bashkë me popujt tjerë të Evropës, do të festojmë 9 Majin si datë më të rëndësishme në historinë e Evropës në kontinentin më të vjetër” tha Nevzat Bejta. 
 
Në emër të shteteve të Vishegradit të pranishmëve iu drejtua Zëvendës shefja e Misionit në Ambasadën e Sllovakisë, Patricia Dudova, e cila pasi foli për përparësitë që ofron aderimi në familjen e BE-së, shtoi se Sllovakia e konsideron Gostivarin si një qytet gjysmë Sllovak, duke pasur parasysh se shumë bashkëqytetar tuaj kanë qenë, ose ende janë, duke punuar, jetuar ose studiuar në Sllovaki.
 
Në shënimin e Ditës së Evropës, nxënësit e shkollave fillore të Gostivarit u paraqitën me një program kulturor, ndërsa zv/ambasadori grek, kryetarit Bejta i dhuroi një album me fotografi të bukurive natyrore të Greqisë të cilin e  nënshkruan të gjithë diplomatët e pranishëm. 
 

Lulzim Haziri