Sorensen takon liderët e partive serbe në Kosovë

19.03.2025 16:46

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi...

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka realizaur takime me dy partitë serbe të cilat do të jenë pjesë e legjislaturës së re në Kuvendin e Kosovës. Ai është takuar me përfaqësuesin e Listës Serbe, Zlatan Elek dhe me kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq.

“Patëm diskutime të mira të ndara me partitë që fituan mandate në zgjedhjet e fundit sipas rezultateve zyrtare, Lista Serbe dhe Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë për pozitën, shqetësimet dhe dëshirat e serbëve të Kosovës në Kosovë”, ka shkruar Sorensen në X.

Lista serbe ankohet për mandatin e partisë së Rashiqit

Ndërsa në një komunikatë për media, Lista Serbe tha se gjatë takimit u ankua para emisarit europian për pozitën e rëndë të serbëve të Kosovës si dhe për atë se kryeministri Albin Kurti ia dha një mandat ministrit Nenad Rashiq me “vota të shqiptarëve”.

“Në takim u diskutua për shkeljen e të drejtave të popullit tonë, sulmet fizike ndaj qytetarëve, madje edhe fëmijëve, por edhe për shkeljen e të drejtave të popullit serb në zgjedhjet e fundit kur Kurti ia dha mandatin Nenad Rashiqit me votat e shqiptarëve, duke ia marrë atë nga duart e popullit serb”, theksojnë nga Lista Serbe.

Sorensen: Çështja e të zhdukurve prioritet në dialog

I dërguari i Bashkimit Evropian Sorensen, ka vizituar edhe Institutin e Mjekësisë Ligjore, me çrast ka theksuar rëndësinë e zbardhjes së fatit të 1.600 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, duke nënvizuar se çështja e personave të zhdukur mbetet prioritet në dialog.

“Familjet që ende presin të mësojnë për të dashurit e tyre meritojnë qartësi dhe drejtësi. Prandaj, çështja e personave të zhdukur mbetet prioritet për mua në dialog”, ka shkruar Sorensen në “X” pas vizitës në Institutin e Mjekësisë Ligjore. (Gyltene Sinani, TVM2)