Izraeli vazhdon bombardimet në Gaza
Izraeli ka vazhduar bombardimet në Rripin e Gazës...

Izraeli ka vazhduar bombardimet në Rripin e Gazës duke e rritur numrin e viktimave në 436. Kryeministri Benjamin Netanyahu, deklaroi se negociatat për armëpushim do të zhvillohen vetëm nën zjarr, duke u kërcënuar se ajo që ka ndodhur gjatë ditëve të fundit është vetëm fillimi.
“Gjatë dy javëve të fundit, Izraeli nuk ka nisur asnjë aksion ushtarak me shpresën se Hamas do të ndryshonte kurs, por kjo nuk ndodhi." – tha Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Marsh protestues kundër Netanyahut, kërkohet dorëheqja e tij dhe paqe, jo luftë
Kundër kësaj deklarate dhe vendimit për vazhdimin e luftës, mijëra izraelitë kanë dalë në rrugët e Jerusalemit për të protestuar.
Ata e akuzuan Netanyahun për qasje autoritare. Vazhdimin e luftës në Gaza e cilësuan si një luftë për të mbajtur pushtetin.
Protestuesit bllokuan rrugën kryesore që lidh Tel Avivin me Jerusalemin, brohoritën parulla dhe mbajtën pankarta ku akuzonin Netanyahun se kishte nisur sulmin në Gaza për arsye politike, duke vënë në rrezik jetën e pengjeve izraelite.
Protesta u zhvillua pas bombardimeve të Izraelit mbi Gaza gjatë natës së martë, që sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, morën më shumë se 400 jetë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe plagosën mbi 500 të tjerë.
Protestuesit kërkuan që negociatat për paqe të vazhdojnë.
Nga ana tjetër, Hamas deklaroi se Izraeli nuk i mbajti premtimet dhe rifilloi "gjenocidin" ndaj popullit palestinez, duke mos përmbushur përgjegjësitë e tij para ndërmjetësuesve të armëpushimit.
Ata shtuan se Izraeli po bën gabim nëse mendon se mund të minojë armëpushimin përmes përshkallëzimit të luftës. (Armend Murseli, TVM2)
