Maqedoni
MPB: Vijon kontrolli i objekteve hotelerike mbyllen 2 objekte në tetovë
20.03.2025 12:11
Gjatë ditës së djeshme MPB ka kryer kontrolle në disa lokale restorante dhe kafene në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit...

Gjatë ditës së djeshme Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me përfaqësues nga Departamenti i Policisë Financiare, Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit, kanë kryer kontrolle në disa lokale restorante dhe kafene në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit. Nga gjithsej 16 kontrolle, në Tetovë janë kryer 10 kontrolle, ndërsa në Gostivar 6. Gjatë kontrollit janë konstatuar një sërë parregullsish dhe do të përgatiten parashtresa përkatëse, ndërsa janë mbyllur dy objekte hotelerike në Tetovë.
“Më datë 19.03.2025, nga ora 10.00 deri në orën 15.00, zyrtarët policorë të SPB Tetovë dhe SPB Gostivar, në bashkëpunim me përfaqësues nga Drejtoria e Policisë Financiare, Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, kanë kryer aksione kontrolli dhe kanë ndërmarrë masa dhe aktivitete të koordinuara që kanë për qëllim luftimin e aktiviteteve të palejuara kriminale që zhvillohen në objekte hotelerike në territorin e Tetovës dhe Gostivarit, me qëllim prioritar për luftimin e tregetisë së palejuar me drogë, ndërmjetësimin në kryerjen e prostitucionit, larje parash, veprime korruptive nga ana e personave zyrtarë të punësuar në institucione shtetërore, që kanë të bëjnë me punën joligjore të subjekteve që kryejnë veprimtari hotelerike dhe aktivitete të tjera jo legale.”, thonë nga MPB.
