Maqedoni
Koçan: Varrosen viktimat e tragjedisë në diskotekën Puls
20.03.2025 13:00
Me dhimbje të madhe dhe atmosferë pikëlluese, iu dha lamtumira e fundit viktimave të tragjedisë së 16 marsit...

Me dhimbje të madhe dhe atmosferë pikëlluese, iu dha lamtumira e fundit viktimave të tragjedisë së 16 marsit, ku një zjarr shkatërrues përfshiu diskotekën PULS në Koçan. Ceremonia e varrimit u zhvillua sipas një protokolli të veçantë, duke u lejuar që brenda varrezave të hynin vetëm familjarët e viktimave. Në portën hyrëse të varrezave qëndronin priftërinjtë nga Koçani të cilët i lejonin prindërit dhe familjarët e viktimave ti afrohen vendbanimit te përjetshëm.
Me një organizim të rreptë nga institucionet shtetërore dhe MPB-ja, edhe ekipet televizive ndoqën ceremoninë sipas një protokolli të caktuar paraprakisht, me qëllim garantimin e rendit dhe qetësisë. Në gatishmëri ishin edhe ekipet mjekësore, për të ofruar ndihmë në rast nevoje.
Përpara varrimit, në kishë u mbajtën lutje dhe qytetarë të shumtë ndezën qirinj në shenjë nderimi për jetët e humbura.
Sipas të dhënave të publikuara zyrtarisht, gjashtë nga të vdekurit ishin të moshës 21 vjeç, dhe katër ishin të moshës 18 dhe 36 vjeç. Tre persona kanë vdekur në moshën 16-vjeçare, po aq në moshën 17-vjeçare dhe në moshën 25-vjeçare. Nga dy viktima janë të moshës 20, 23, 27, 31, 38 dhe 44 vjeç, si dhe nga një i ndjerë janë të moshës 19, 29, 32, 33, 43, 47 dhe 48 vjeç.
Të vdekurit nga zjarri në Koçan do të varrosen sot në vendpushimet e tyre të përjetshme në Koçan, Shtip, Obleshevë dhe Shkup.
Qeveria shpall ditë jo pune në Koçan
Në shenjë zie dhe solidariteti, qeveria urdhëroi që dita e sotme në Koçan të shpallet ditë pushimi për punonjësit e institucioneve shtetërore, pushtetit lokal dhe kompanive private. Dhimbja dhe trishtimi kanë pllakosur qytetin, duke mos kursyer askënd – familjarët e viktimave, të afërmit, qytetarët dhe madje edhe gazetarët që raportojnë për këtë ngjarje tragjike.
ERSAN PAJAZITI
