Maqedoni

Tragjedia në Koçan, ceremoni mortore për 59 viktimat

20.03.2025 14:56

59 viktimave të tragjedisë në Koçan, i’u dha lamtumira e fundit....

59 viktimave të tragjedisë në Koçan, i’u dha lamtumira e fundit. Në qytetin e fatkeqësisë u bë varrimi i pjesës më të madhe të tyre me rituale të drejtuara nga kryeipeshkvi zotëri Stefani, të diktuara nga protokoll i veçantë. Në portën hyrëse të varrezave qëndronin priftërinjtë të cilët i lejonin prindërit dhe familjarët e viktimave. 
 
Ndërkohë një numër i madh i njerëzve ishin të pranishëm në distancë, në pamundësi për t’iu afruar varreve të viktimave, të cilat ishin të sigurua nga policia. Edhe ekipet televizive ndoqën ceremoninë sipas një protokolli të caktuar paraprakisht, me qëllim garantimin e rendit dhe qetësisë. Prezent ishin edhe ekipe të mjekëve dhe kryqit të kuq. Disa nga familjarët u dërguan në spital pas gjendjes së rënduar nga dhimbja dhe stresi i akumuluar i këtyre ditëve. Ndërkohë qyteti në heshtje totale, pasi gjitha lokalet dhe institucionet ishin mbyllur. 
 
Ndjesi e trishtë edhe në Shtip, ku u bë varrimi i pesë viktimave, Damjan Tanevskit, Filip Ivanovskit, Filip Stevanovskit, Aleksandar Kollarovit dhe Aleksandar Arsovski. Varrezat e qytetit ishin të rrethuara nga policia. Sipas protokolleve mediat ishin të kufizuara në filmimin e ritualit të varrimit,  ndërkohë që akcesi deri tek varret i lejohej vetëm familjarëve. Ekipe të kryqit të kuq dhe ndihma e shpejtë ishin të pranishëm për të ofruar ndihmë.
 
Edhe në këtë qytet kishin ardhur një lum njerëzish, të pranishëm në tre kishat ku ishin ekspozuar arkivolet e të ndjerëve.
 
Ceremoni varrimi për të gjashtë të rinjë ishte e organizuar në fshatin Obleshevë. Në afërsi të Obleshevës, në fshatrat Çiflig, Sokollarcë, dhe Zërnovci, u bë varrimi i tre viktimave që s’arritën t’I mbijetojnë tragjedisë në diskotekën Puls.
 
Anëtarët e grupit “AND” u  varrosen në Shkup dhe Strumicë. Këngëtari i grupit Andrej Gjorgjieski, u varros në varrezat e qytetit Butel, ndërsa anëtarja e grupit dhe profesoresha e Fakultetit të Artit Muzikor, Sara Projkovska në varrezat në Lisiçe. Varrimi i muzikantit të ri nga Strumica, bateristit të grupit, Gjorgji Gjorgjiev u bë  në varrezat e qytetit në Strumicë.
 
Sipas të dhënave zyrtare, gjashtë nga të vdekurit ishin të moshës 21 vjeç, dhe katër ishin të moshës 18 dhe 36 vjeç. Tre persona kanë vdekur në moshën 16-vjeçare, po aq në moshën 17-vjeçare dhe në moshën 25-vjeçare. Nga dy viktima janë të moshës 20, 23, 27, 31, 38 dhe 44 vjeç, si dhe nga një i ndjerë janë të moshës 19, 29, 32, 33, 43, 47 dhe 48 vjeç.
 
MERALE ISMAILI