Rajon

Marrëveshja për bashkëpunim ushtarak, Vuçiq: Nxit garën rajonale për armatim

20.03.2025 15:55

Vuçiq ka reaguar pas nënshkrimit të deklaratës për bashkëpunim në sferën e sigurisë ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka reaguar pas nënshkrimit të deklaratës për bashkëpunim në sferën e sigurisë ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës. Pas takimit me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Vuciq tha se me këtë marrëveshje është hapur “një garë armësh” në rajon.
 
“E kanë hapur garën për armatim në rajonin tonë. Është situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe, ne do ta ruajmë vendin tonë, do t'i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor i mundshëm, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm.”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
 
Sipas presidentit serb memorandumi përbën "shkelje të marrëveshjes nënrajonale", ndërsa shprehu bindjen e tij se "NATO nuk ka qenë e njoftuar për këtë".
 
Kosova dhe Kroacia: Nuk e pyesim Serbinë për marrveshje 
 
Por Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i ka cilësuar kundërshtimet e Serbisë për nismën e bashkëpunimit të mbrojtjes si "shkelje të hapur të Marrëveshjeve të Brukselit", e cila, siç thuhet "parashikon qartë se Serbia nuk do të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës dhe nuk do të pretendojë të flasë në emër të Kosovës në marrëdhëniet me shtete dhe organizata të tjera". 
 
“Përpjekja e Serbisë për ta paraqitur veten si 'garantuese e paqes në Ballkan' është absurde. Asnjë shtet në rajon e më gjerë nuk ka kontribuar më shumë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor se sa Serbia, siç e dëshmojnë faktet historike dhe zhvillimet e fundit.”, thuhet në reagimin e Misnitrisë së Punëve te Jashtme të Kosovës. 
 
Ndërkohë Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq ka thënë se për marrëveshjen e fundit ushtarake me Kosovën dhe Shqipërinë nuk kanë nevojë ta pyesin Serbinë apo NATO-n. Ai ka sqaruar se marrëveshja për bashkëpunim ushtarak ndërmjet Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë e nënshkruar më 18 mars në Tiranë, nuk është e natyrës armiqësore. 
 
GYLTENE SINANI