Maqedoni

Bota nderon viktimat e tragjedisë në Koçan

20.03.2025 16:08

Bota dhe rajoni shprehin ngushëllime për momentet e dhimbshme të qytetarëve në Maqedoni...

Bota dhe rajoni shprehin ngushëllime për momentet e dhimbshme të qytetarëve në Maqedoni. 
 
Galeria Kombëtare dhe sheshi në Melburn janë ndriçuar në ngjyrat e flamurit kombëtar maqedonas. Banorët ndezën qirinj dhe nderuan viktimat e tragjedisë në Koçan. Zemrat tona janë të mbushura me dhimbje të thellë, shkruhet në një postim në Facebook. 
 
Po ashtu, Këshilli i Qytetit të Perth në Australi ndriçoi një ndërtesë me ngjyrat e kuqe dhe të verdha për të kujtuar jetët e humbura në tragjedinë që ndodhi në diskotekën "Pulse". Në sheshin e Sofjes, mijëra qytetarë mbajtën një minutë heshtje për të nderuar të vdekurit në Koçan. 
 
Mediat në rajon dhe në të gjithë botën vazhdojnë të raportojnë për aksidentin. Maqedonia kishte një ditë të trishtë duke i dhënë lamtumirën e fundit viktimave të zjarrit në diskotekën e Koçanit. Mediat serbe raportuan për ceremoninë e varrimit të 59 viktimave. Po ashtu, mediat bullgare informuan edhe për një aksion dhurimi gjaku në Blagoevgrad, ku dhjetëra qytetarë dhuruan gjak për të plagosurit që u hospitalizuan në Bullgari. 
 
Për tragjedinë në Koçan raportojnë të gjitha mediat ndërkombëtare, përfshirë BBC-në, e cila ka transmetuar ngjarjen nga të mbijetuarit dhe deklarata nga familjarët e viktimave. Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Associated Press, ka raportuar vazhdimisht për çdo informacion lidhur me tragjedinë dhe ka mbuluar ceremonitë e varrimit në Koçan dhe në Shkup.