Rajon
Osmani: Serbia burim i vetëm destabilizimi në rajon
21.03.2025 13:31
Ekziston vetëm një burim destabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe ajo është Serbia...

Ekziston vetëm një burim destabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe ajo është Serbia. Kështu ka deklaruar Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani duke iu kundërpërgjigjur homologut të sajë serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka kundërshtuar marrëveshjen për bashkëpunim në sferën e sigurisë, ndërmjet Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë.
“Është interesante që historikisht, shtetet agresore siç janë Serbia dhe Rusia, vazhdimisht tentojnë të paraqiten si viktima. Në qoftë se i shihni deklaratat e tyre qesharake përkundër faktit që kanë një histori sulmesh pushtimesh, histori gjenocidi, histori luftërash që i kanë shkaktuar vet, shtetet agresore si Serbia dhe Rusia paraqiten se kinse dikush po i sulmojka ata.”, tha Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës.
Marrëveshja Kosovë, Shqipëri, Kroaci, Osmani: Nuk ka për qëllim të sulmojë askënd
Osmani njëherit theksoi se në historinë e ekzistimit, shqiptarët kur nuk e kanë sulmuar askënd, prandaj edhe marrëveshja trepalëshe synon të rris kapacitetet mbrojtëse e jo për ta sulmuar dikë.
“Shqiptarët dhe Kosova në veçanti gjithmonë e kanë mbrojtur vetveten e kanë mbrojtur pragun e shtëpisë. Ne do të vazhdojmë ta mbrojmë sovranitetin tone integritetin territorial, shtetësinë tonë dhe sovranitetin territorial. Marrëveshja trilaterale ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, synon pikërisht këtë, që ti ndihmojmë njëra tjetrës për ti ngritur kapacitetet e mbrojtjes, pra për ta mbrojtur vetveten jo për ta sulmuar dikë.”, deklaroi Osmani.
Qëndrim të ngjashëm me Osmanin, kanë mbajtur edhe zyrtarët në Shqipëri dhe Kroaci. Por presidenti serb Aleksandar Vuçiq duke kundërshtuar marrëveshjen tha se me këtë marrëveshje është hapur “një garë armësh” në rajon. Sipas presidentit serb memorandumi përbën "shkelje të marrëveshjes nënrajonale" të vitit 1996.
GYLTENE SINANI
