Botë
Zjarr në aeroportin Heathrow në Londër, anulohen 1350 fluturime dhe aterrime
21.03.2025 13:54
Aeroporti Heathrow i Londrës është mbyllur të premten..

Aeroporti Heathrow i Londrës është mbyllur të premten, për shkak të ndërprerjes së energjisë si pasojë e një zjarri në trafo stacionin e afërt, duke bërë që qindra fluturime të anulohen. Të paktën 1.350 fluturime dhe aterrime janë anuluar nga mbyllja e aeroportit, duke lënë në pritje mbi 145 mijë udhëtarë.
“Derisa afroheshim afër terminalit, shoferi i taksisë komentoi se është errësirë. I tërë ndriçimi rrugor ishte ndalur. E pyeta a është normalisht, më tha jo dhe nuk e kupton pse. Më pas na takoi automjeti i policisë dhe na njoftuan se nuk mund të hynim sepse kishte zjarr në trafo stacion, se të gjithë fluturimet janë anuluar dhe na thanë të kthehemi në shtëpi.”, u shpreh një udhëtare.
Ekspertët e fluturimit thonë se për tu kthyer në normalitet nevojiten të paktën dy deri në katër ditë.
“Prioritet është të hapet aeroporti dhe të kontrollohet sistemi i furnizimit me energji elektrike. Do të nevojiten dy deri në katër ditë, sepse sapo të hapet aeroporti nuk bëhet fjalë vetëm për vazhdimin e faturimeve të asaj dite por edhe të atyre që janë anuluar.”, u shpreh një eksperte e fluturimit.
Brigada e Zjarrfikësve të Londrës angazhoi 10 automjete zjarrfikëse dhe rreth 70 zjarrfikës për ta vënë nën kontroll zjarrin disa orë pasi zjarri shpërtheu në transformator në nënstacionin elektrik në perëndim të Londrës. Heathrow është një nga aeroportet më të ngarkuara në botë për udhëtime ndërkombëtare. Vetëm në Janar të këtij viti nga ky aeroport kanë kaluar më shumë se 6.3 milionë udhëtarë, apo mbi 200 mijë udhëtarësh në ditë.
FITORE DEMOLLI
