Maqedoni
Taravari: 10 pacientë lëshohen në shtëpi, pacientët tjerë në gjendje stabile shëndetësore
21.03.2025 14:09
Dhjetë pacientë që ishin të shtruar në spitalet e vendit pas tragjedisë në Koçan tanimë janë lëshar për mjekim në shtëpi...

Dhjetë pacientë që ishin të shtruar në spitalet e vendit pas tragjedisë në Koçan, pas përmirësimit të gjendjes së tyre shëndetësore tanimë kanë lënë spitalin, informoi ministri i Shëndetësisë Arben Taravari. Ai njëherit bëri të ditur se edhe 57 pacientë janë duke u trajtuar në klinikat e vendit, ndërsa 115 të tjerë trajtohen jashtë vendit. Të gjithë pacientët janë në gjendje stabile, përveç një pacientit që ndodhet për trajtim në Turqi, i cili është në gjendje më kritike, bën të ditur Taravari.
“12 janë në spitalin 8 Shtatori,25 janë në qendrën klinike, në spitalin e qytetit janë 11 dhe në Shtip është vetëm një pacient. Jashtë shtetit mjekohen 115 pacientë të gjithë në situatë relativisht të mirë përveç një pacientit që e kemi pak më kritik që është në Turqi. Mendojmë për të përgatitur protokollet për kthimin e këtyre pacientëve të cilët duhet ti pranojmë këtu në qoftë se ka nevojë për mjekim në spitale do të mbahen 1 ose disa ditë.”, deklaroi Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë.
Çibishev: Pacientët e toksikologjisë në gjendje stabile
Edhe drejtori i klinikës së Toksikologjisë Andon Çibishev, bën të ditur se të gjithë pacientët e hospitalizuar në Klinikën e Toksikologjisë janë në gjendje stabile shëndetësore.
“Fillimisht në Klinikën e Toksikologjisë janë pranuar gjithsej 20 pacientë. Prej tyre, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tyre, 13 janë transferuar në klinika të tjera, më së shumti në Klinikën për Anestezion, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv e cila ka aparate të ventilimit mekanik. Të gjithë pacientët janë në gjendje stabile. Aktualisht në këtë Klinikë janë duke u trajtuar 7 pacientë të cilët kanë thithur një sasi të madhe të gazrave toksike derisa objekti digjej. Pacientët nuk kanë lëndime mekanike apo termike, por kryesisht dëmtime nga thithja nga tymi dhe gazrat.”, tha drejtori i klinikës së Toksikologjisë, Andon Çibishev.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në lidhje me spekulimet se po mblidhen para për mjekim, ai tha se trajtimi i pacientëve nga zjarri i Koçanit në vendet tjera përgjithësisht është pa pagesë dhe se nuk ka nevojë të përhapen dezinformata. Taravari theksoi se Qeveria ka siguruar mjete për udhëtim dhe akomodim për dy prindër apo familjarë të pacientëve në të gjitha vendet.
VLORA LATIFI TOPOJANI
